Shtetet si Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, kanë potencial të ndikohen nga kriza e eurozonës. Por, për Kosovën, sipas zyrtarëve të Bankës Botërore është pak më ndryshe, për shkak të borxhit të jashtëm dhe atij publik.

Kështu u tha në një video-konferencë të organizuar në 6 kryeqendrat e këtyre shteteve, me rastin e  prezantimit të “Raportit të Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore”, që publikohet dy herë në vit.

“Të gjitha këto shtete kanë potencial të ndikohen nga zhvillimet në Europë. Kosova është pak më ndryshe sa i përket ekspozimit ndaj një borxhi të jashtëm, e borxhit publik, dhe historia e saj është shumë e shkurtër. Është ndryshe nga vendet tjera, por që duhet të shikojë me kujdes pozitën e saj fiskale”, tha ekonomisiti i BB për Europën Juglindore, Ronald Hood.

Ndërsa, duke folur për rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2012, zyrtarë të Bankës Botërore për Kosovën, deklaruan se parashikimet janë që rritja të jetë rreth 5%, por kjo varet edhe nga zhvillimet në Eurozonë.  

“Kosova duket se do të jetë një performuese kryesisht e mirë në raport me rajonin. Parashikojmë një rritje diku rreth 5%, edhe pse varësisht nga ajo çfarë ndodh në Eurozonë, megjithatë një rishikim mund të ketë një zbritje të asaj rritje në 4%”, tha zyrtari për Hulumtime Ekonomike në BB për Kosovën, Agim Demukaj.   

Ndërkaq, të pyetur në lidhje me investimet publike të Qeverisë për çfarë është parashikuar hyrje në borxhpublik, vitin e ardhshëm, zyrtari i BB-së, Demukaj i rekomandon Qeverisë së Kosovës se si të veprojë.

Meqë, me ligj borxhi nuk duhet të kalojë 40%  Bruto të Prodhimit Vendor, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, rekomandojnë qeverinë që ai të mos jetë më shumë se 30%. Por se sa është kjo shifër e shprehur në para, nuk u përmend meqë sipas tyre vlera e Bruto Prodhimit Vendor mund të ndryshojë nga viti në vit.    

Top Channel