Vatikani: Do të kthejmë Mesharin

14/11/2011 21:55

Presidenti i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi premton kthimin e Mesharit të Gjon Buzukut në Shqipëri.

“Unë mendoj se është e mundur që kjo të realizohet. Cështja i është besuar bibliotekës së Vatikanit, por mbështet edhe nga ne”, ka deklaruar kardinal Ravasi.

Hirësia e tij është pritur nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci, me të cilin ka patur edhe një takim para disa kohësh në Romë.

Homologu i zotit Bumci në Vatikan, viziton Tiranën në kuadër të organizimit të “Ditë”-s, një aktivitet i “Oborrit të Paganeve” që do të zhvillohet pikërisht në kryeqytet.

“Kjo është një pasuri që i shërben botës së sotme, ku toleranca fetare është një debat aktual. I kërkuam kardinalit që Shqipëria të bëhet një vend ku të diskutohet kjo temë”, ka deklaruar Bumci.

“Kam qenë edhe më parë i interesuar për Shqipërinë, pasi ky vend ka qenë kaq i mbyllur gjatë regjimit dhe sepse në Milano kam pasur marrëdhënie të mira me një komunitet fetar shqiptar, si dhe me disa shqiptarë që emigraun në Itali pas rrëzimit të komunizmit”, është shprehur kardinali Ravasi.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, përfaqësuesi Papnor do të zhvillojë një sërë takimesh me të rinjtë. Theksi do të vihet në diskutimin e temave themeltare të ekzistencës, si puna, ana shpirtërore dhe komunikimi.

Top Channel