Libi, luftime midis fiseve tribale

14/11/2011 19:35

Disa ditë luftimesh midis fiseve tribale në afërsi të qytetit libian të Zavijës kanë shkaktuar vdekjen e të paktën shtatëve personave, informojnë mediat ndërkombëtare.

Zona ka mbetur e pakontrolluar që prej largimit të besnikëve të Gaddafit nga Zavija dhe fiset e fuqishme të vendit janë përpjekur të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon.

Ndonëse lufta civile ka përfunduar, luftimet në Libi vazhdojnë të jenë të ashpra dhe pothuajse çdo ditë regjistrohen të vrarë nga përballjet. Sipas ekspertëve, ngjarje të tilla ngrejnë dyshime serioze mbi mundësinë e vendosjes së rendit në vend brenda një kohe të shkurtër.

Sipas qeverisë së përkohshme, konflikti u vendos nën kontroll gjatë pasdites së sotme. Dy fise rivale besohet se luftonin për të fituar kontrollin e një baze ushtarake të braktisur, e cila do t’i jepte mundësinë të merrnin nën kontroll shumë armë të rënda.

Top Channel