KE, optimiste për krizën

14/11/2011 19:50

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso u shpreh optimist për të ardhmen e Italisë dhe Greqisë. Ai beson se kryeministri i ri italian, Mario Monti do të arrijë konsensusin politik në vend.

“E njoh Mario Montin, shumë mire, është një person shumë kompetent, një ekspert i cështjeve europiane dhe gjithashtu një europian shumë i angazhuar. Ajo që shpresoj tani është që Italia të ketë konsensusin e nevojshëm politik”, deklaroi Barroso.

“Italia është një nga anëtarët e mëdhenj të Bashkimit Europian, një prej anëtarëve themelues, një vend që është vital jo vetëm për Europën por edhe për botën. Është një nga ekonomitë më të rëndësishme në botë, kësisoj ka një konsesus real rreth kësaj qeverie të re. Unë shpresoj se besimi i investitorëve do t’i kthehet sërish Italisë. Gjithashtu, ky do të ishte një lajm i mirë për euron”, u shpreh ai.

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano emëroi ish-komisionerin europian, Mario Monti për të drejtuar qeverinë e re italiane me detyrën kryesore për të rikthyer besimin tek ekonomia e tretë e eurozonës, borxhi i të cilës është shumë i madh, për një plan shpëtimi.

Sa i takon Greiqsë, gjatë një interviste për “Reuters”, Barroso tha se kishte folur me kryeministrin e ri të Greqisë, Lukas Papadhimos në fundjavë.

Ai u shpreh i sigurt se qeveria e re greke që u betua më 11 nëntor do të respektojë afatet e paketës së ndihmës së Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombetar.

“Greqia do të ketë mbështetjen e Bashkimit Europian, nëse ajo me të vërtetë respekton angazhimet që ka marrë dhe ato duhet të respektohen. Të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të zonës euro e kanë thënë qartë edhe me insitucionet europiane, se ne jemi gati të vazhdojmë mbështetjen për Greqinë, nëse angazhimet respektohen plotësisht dhe jam i sigurt se qeveria e re do t’i respektojë ato”, u shpreh Barroso.

Tregjet financiare  përshëndeten, me një optimizëm të kujdesshëm, mbërritjen e dy ekonomistëve të njohur në krye të Italisë dhe Greqisë, por dyshimet mbeten se cfarë hapash do të ndërmarrin dy vendet me borxhe të larta.

Top Channel