Mafia, bosët më të rrezikshëm të planetit

12/11/2011 18:30

Fenomeni Mafia lindi në Sicili, por me kalimin e viteve u gjenerua në vende të ndryshme të botës. Për të etiketuar një organizatë kriminale si një organizatë e tipit mafioz, zakonisht ajo duhet të përdorë taktikat e shpikura nga Cosa Nostra si zhvatjet, kërcënimet, shantazhet, për të kaluar me trafikun e drogës e manipulimin e ekonomisë, etj.

Por cilët janë bosët mafiozë më të rrezikshëm të planetit në ditët e sotme dhe që kërkohen nga drejtësia? Revista prestigjoze amerikane “Forbes”, e njohur për klasifikimet e personave më të pasur, ka bërë para pak kohësh klasifikimin e kriminelëve më të rrezikshëm. Ata janë:

1. Joaquin Guzman. Është trafikanti meksikan më i fuqishëm i drogës. I njohur edhe me nofkën “El Chapo”, Guzman është në krye të kartelit të Sinaloas, një organizatë kriminale aktive në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Është arrestuar njëherë në vitin 1993, por më pas u arratis. Shpërblimi për të është 1.5 milionë euro.

2. Dawood Ibrahim Kaskar. Është kreu i organizatës kriminale indiane D-Company. Dyshohet për lidhje me Al Kaedën dhe konsiderohet organizator i atentatit të vitit 1993 në Mumbai, ku u vranë 257 persona dhe u plagosën 713 të tjerë.

3. Semion Mogilevich. Bos i mafias ruse. Është përgjegjës për një mashtrim milioner në dëm të mijëra biznesmenëve, që kanë pësuar një agresion prej 150 milionë dollarësh. Zotëron pasaportë ruse, izraelite, ukrainase dhe greke. Informacionet për të vlejnë 100 mijë dollarë.

4. Matteo Messina Denaro.
Konsiderohet si kreu aktual i kupolës së Cosa Nostra-s. Është i kërkuar prej 18 vjetësh për pjesëmarrje në shoqatë mafioze, 50 vrasje të kryera personalisht, tre atentate me eksploziv në Romë, Fierence dhe Milano, masakra, dëmtim prone, armëmbajtje pa leje, etj. Shpërblimi mbi të është 1.5 milionë euro.

5. Alimzhan Tokhtakhounov. Është bosi i mafias ruse, i njohur edhe me nofkën “Taivanezi” për tiparet e tij orientale. Në vitin 2002 u arrestua në Itali për pastrim parash, zhvatje dhe trafik droge në kuadër të operacionit “East Money”. Por më pas u lirua. U shpall sërish në kërkim dhe aktualisht mendohet se fshihet në Rusi.

6. Omid Tahvili. Është kumbari i një familjeje mafioze iraniane me bazë në Kanada. U arrestua njëherë por u arratis nga burgu pasi korruptoi një roje.

Për të plotësuar listën “Forbes” ka futur në të edhe persona të tjerë të kërkuar për krime të rënda.

7. Felicien Kabuga. Akuzohet se është financuesi kryesor i grupeve politike dhe milicive që kanë kryer genocid në Ruanda. Shpërblimi për të është 5 milionë dollarë.

8. Joseph Kony.
Është kreu i lëvizjes “Ushtria e Rezistencës së Zotit”. Në vitin 2005 gjykata ndërkombëtare e Hagës ngriti ndaj tij 33 akuza, 12 prej të cilave për krime kundër njerëzimit.

Lista me 10 përbërsit kompletohej edhe me dy personazhe të tjera, por që ose janë vrarë, ose janë arrestuar. Kështu në të bënin pjesë:

9. Osama bin Laden. Kreu i padiskutueshëm i Al Kaedës deri më 2 maj të vitit 2011, kur u kap dhe u vra nga komandot amerikanë. Shpërblimi mbi kokën e tij ishte 25 milionë euro. Ndodhej i pari në listë, por për shkak të vdekjes doli në fund.

10. James “Whitey” Bulger. Deri para pak kohësh ishte në krye të bandës amerikano-irlandeze Winter Hill, që kontrollon trafikun e drogës dhe zinxhirin e zhvatjeve në Boston. Dyshohet për lidhje me IRA-n dhe për 19 vrasje. U arrestua më 23 qershor të këtij viti. Mbi figurën e tij u frymëzua edhe regjisori Martin Scorsese për filmin “The Departed”, ku bosi interpretohet nga aktori Jack Nicholson.

FOTO GALERI
6/10
Omid Tahvili

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA