Berisha viziton panairin e librit

11/11/2011 20:30

Për kryeministrin Sali Berisha, panairi i librit është një nga rastet më të mira ku shqiptarët kanë mundësi të shfaqin formimin e tyre dhe dëshirën për të pasuruar dijet e tyre.

Dhe ky panair, me pjesëmarrjen dhe shitjen e lartë të librave e ka treguar më së miri pasionin e shqiptarëve për të lexuar, edhe pse jetojmë në moshën e internetit.

Por, mesa duket, kryeministrit Berisha nuk i vjen aspak keq sa herë libri tregon superioritet ndaj internetit.

“Është një ogur i madh, i bardhë për shqiptarët, është një dëshmi e ngjitjes së tyre në rrafshin më të rëndësishëm, në rrafshin e pasurisë së tyre më të madhe, rrafshin kulturor apo e shprehur ndryshe, rrafshin e identitetit të tyre kombëtar”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha bleu disa libra gjatë vizitës në panair dhe blerjet i nisi me libra për fëmijë për nipërit dhe mbesat e tij.

Këto ishin dhe blerjet më të mëdha që bëri në sasi dhe në paratë që shpenzoi. Kryeministri u ndal në disa stenda, duke përshëndetur botuesit, por duke mos pranuar dhurata, megjithë këmbënguljen e tyre.

“Kam një parim, librat i blej, nuk pranoj dhurata”, u shpreh kryeministri. Atje ku u ndal më gjatë kryeministri dhe ku u mendua për të zgjedhur ishte stenda me librat e Ismail Kadaresë, prej të cilit mori romanin “Aksidenti”, një nga botimet më të reja të shkrimtarit më të shquar shqiptar.

Ky panair është më i pasur se asnjëherë edhe me botime të politikanëve, ku spikat Edi Rama me “Kurbanin”, por kryeministri Berisha e anashkaloi stendën e tij. Dhe sic pohoi vetë, jo pa qëllim. Madje, nuk kurseu as shprehjet therrëse për rivalin e tij politik.

“Zoti i mbrojttë letrat tona nga politikanët e dështuar, por Zoti e mbrojttë dhe politikën, dhe po e mbron, nga shkrimtarët e dështuar. Kështu që nuk mendoj se meritojnë ndonjë nderim të vecantë ata që po dështojnë në politikë dhe rendin pastaj tek letrat për të gjetur një strehë. Letrat nuk janë për strehë, letrat janë eleksir i mendimit të shoqërisë dhe të kombit, ndaj dhe jo pa qëllim u mora me shkrimtarët e vërtetë dhe lash mënjanë dështakët e politikës, të cilët duan të shndërrohen në shkrimtarë”, tha Berisha.

Reagon Rama: Sali, fisnikërinë nuk ta jep Zoti

Por, menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Berisha reagoi kryetari i Partise Socialiste, Edi Rama përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter.

“Sali, fisnikëria s’është si plehrat që i shumon, apo si votat që i vjedh! O e ke, o s’e ke, as Zoti s’të ndihmon dot në këtë pikë”, shkruan Rama.

Ndërsa në një tjetër koment, ku tematika është përsëri letërsia, Rama nga Twitter i drejton një pyetje Berishës: “E meqë ra fjala, na thuaj cfarë lexonte gjyshi yt, Sali. Po bibliotekën të madhe e kishte?”.

Top Channel