Shkatërrohet rrjeti kriminal informatik

10/11/2011 14:40

Një grup kriminelësh informatikë që dyshohen se kanë fituar 14 milionë dollarë me anë të mashtrimit janë arrestuar në Estoni.

FBI-ja dyshonte se organizata kishte “infektuar” mbi 4 milionë kompjutera në 100 vende të botës, me kode që drejtonin përdoruesit e internetit tek disa reklama të rreme online.

Gjithësej janë arrestuar gjashtë persona, të gjithë estonezë, ndërsa anëtari i shtatë i grupit, një rus, është shpallur në kërkim.

Firmat e sigurisë informatike përshëndetën operacionin, duke e vlerësuar si goditjen më të rëndë ndaj krimit kibernetik në histori.

Rreth 500 mijë nga 4 milionë kompjuterat e prekur ishin në Shtetet e Bashkuara dhe shumica e miliona dollarëve të përfituar ilegalisht ishin nga buxhetet e institucioneve qeveritare, shkollave dhe korporatave.

Një mbështetje hetimeve për zbulimin e skemës së mashtrimit u dha nga agjencia hapësinore amerikane, NASA, e cila ishte e para që zbuloi softëare-in dashakeq në 130 kompjutera të saj.

Firma e sigurisë “Trend Micro” ofroi gjithashtu asistencën e saj logjistike për hetimin e gjatë.

Në përfundim, FBI deklaroi se skema e sofistikuar dhe masive e mashtrimit rrotullohej rreth serverave të ngritur për të devijuar rrugën e trafikut të internetit në ato faqe që donte organizata kriminale.

Viktimat kërkonin të vizitonin faqe si Amazon, Netflix dhe ESPN, por në vend të tyre përfundonin në faqe me reklama të rreme dhe binin pre e mashtrimit.

Top Channel