Lufta e Dytë Botërore ka 66 vjet që ka përfunduar dhe shumica e protagonistëve të saj nuk janë më rreth nesh.
Megjithatë, 13 200 të moshuar shqiptarë ia kanë dalë të regjistrojnë veten si protagonistë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të përfitojnë pension suplementar si veteranë, publikon gazeta ‘Shqip’.
Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se gjatë këtij viti, buxheti i shtetit do të shpenzojë 437 milionë lekë (rreth 3.1 milionë euro) për të paguar pensione shtesë për veteranët, të cilët kanë kryer funksione të ndryshme gjatë luftës. Ata përfitojnë mesatarisht 27 mijë lekë në muaj. ISSH-ja parashikon që vitet e ardhshme kjo faturë të pakësohet.
Mijëra mund të jenë mashtrues
Vetë fakti që lufta ka 66 vjet që ka mbaruar dhe duke supozuar që partizani më i ri ka qenë 14 vjeç në vitin 1944, rezulton se përfituesit duhet të jenë që të gjithë së paku 80 vjeç. Por duke qenë se shumica e partizanëve kanë qenë më të mëdhenj se 14 vjeç, rezulton se përfituesit duhet të jenë rreth 85 vjeç e lart sot. Problemi është se në Shqipëri ka vetëm 17 mijë të moshuar mbi 85 vjeç, nga të cilët 6 mijë janë burra dhe pjesa tjetër janë gra.
Shifra e përfituesve të shpërblimit për sakrificën e kryer gjatë luftës përbën praktikisht një të tretën e popullatës që aktualisht është mbi 80 vjeç, gjë që do të thotë se ka lindur para vitit 1930 dhe që në ditët e fundit të luftës ka qenë 14 vjeç. Të 13 mijë përfituesit e sotëm përbëjnë 70 për qind të numrit të përgjithshëm të meshkujve që në vitin ’44 kishin moshën 14 vjeç.
Shtet pa dokumente
Sipas të gjitha gjasave, numrin e të moshuarve që kanë gënjyer për pjesëmarrjen e tyre në luftë nuk do ta mësojmë kurrë. Statusi i veteranit merret në bazë të një ligji të vitit 1994, ku si prova për angazhimin në luftë pranohen dokumente gjithfarësh, nga dëshmitë e bashkëkohësve, deklarata organizata veteranësh etj. Vetë verifikimi i këtyre dokumenteve mund të kërkojë një buxhet më vete, gjë që e bën të paleverdishëm gjurmimin e atyre që kanë përfituar pa të drejtë.
Skema e sigurimeve shoqërore është e mbushur me manipulime të vogla, që duket se janë krijuar më së shumti nga mungesa e një skeme të përshtatshme ndihme ekonomike për shtresat në nevojë. Me mijëra shqiptarë mbi moshën 50 vjeç janë aktualisht të papunë. Sipas INSTAT-it, një e treta e shqiptarëve mbi 50 vjeç dhe dy të tretat e shqiptarëve mbi 60 vjeç nuk marrin pjesë në forcat e punës, (d.m.th. janë të papunë) dhe shpresa e vetme e kësaj shtrese është pritja se një ditë do të marrin një pension pleqërie nga shteti.
Me qindra prej tyre kryejnë manipulime të vogla në moshë apo ndryshojnë historinë personale të punësimit për të përfituar një pension, sado që masa e pensionit mbetet e papërfillshme. Qeveria ka miratuar një shtesë ligjore të posaçme për trajtimin e këtyre rasteve, duke sanksionuar se pensionistët që kanë kryer manipulimet duhet të kthejnë paratë e fituara pa të drejtë.
Por përndjekja e pensionistëve, përveç faktit që nuk mund të kryhet në mënyrë tërësore, për shkak të numrit të lartë të manipulimeve, duket se nuk e zgjidh problemin e varfërisë së një brezi të tërë të shqiptarëve.
Top Channel