Indi, 10 të vrarë në një ritual hindu

08/11/2011 09:45

Të paktën dhjetë persona janë vrarë në një rrëmijë në qytetin e shenjtë në veri të Indisë, Hariduar.

Rrëmuja ndodhi gjatë një ceremonie fetare për 100-vjetorin e lindjes së themeluesit të sektit Hindu.

Mijëra vetë po merrnin pjesë në ceremoninë kushtuar Sri Rama Sharma, themeluesi i sektit Gayatri Parivar.

Nga rrëmuja shumë persona të tjerë mbetën të plagosur dhe janë dërguar për në spital. Një zëdhënës i qeverisë, Amit Chandola, deklaroi për Associated Press se personat e lënduar janë të paktën 50.

“Kur ritualet filluan, shumë persona vërshuan përpara për të ofruar objektet e tyre për zjarrin e shenjtë dhe turma doli nga kontrolli”, ka treguar ndërkohë një dëshmitar.

Sipas burimit, shumë persona u rrëzuan, por njerëzit që ndodheshin më pas vazhduan të shtynin përpara turmën.

Hariduar, që ndodhet 173 kilometra në veri të Nju Delhit, është një qytet-tempull prej nga ka lindur edhe dinastia Ganges, nga malet e Himalajave, dhe konsiderohet i shenjtë.

Numri i madh i personave që marrin pjesë në festivalet fetare në Indi i ka kthyer rrëmujat në një ngjarje të zakonshme, që shoqërohen me viktima.

Një rrëmujë e ngjashme e ndodhur në një festival në shtetin jugor të Keralës, në Janar, u mori jetën mbi 100 personave.

Top Channel