Bujqësia, diskutohen arrorët në konferencë kombëtare

07/11/2011 08:30

Ministria e Bujqësisë po organizon një konferencë kombëtare për të diskutuar mbi gjendjen aktuale dhe të ardhmen e arrorëve në Shqipëri, një konferencë e nxitur nga deklaratat e Kryeministrit se dëshiron të shtojë mbjelljet dhe shfrytëzimin e arrorëve nëpër malet shqiptare.

“Më datë 8 nëntor 2011, ora 09:30, në hotel ‘Sheraton’, mbahet ‘Konferenca kombëtare mbi gjendjen dhe perspektivën e zhvillimit të drurëve frutorë arrorë’ (arra, gështenja, lajthi, bajame dhe shegës) në Shqipëri.

Në këtë konferencë do të prezantohet studimi i realizuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, dhe drejtuar nga taskforca kombëtare e ngritur për këtë qëllim, e cila ka drejtuar gjithë punën për realizimin e këtij studimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi pak kohë më parë se dëshironte që vendi të mbillte më shumë arrorë në zonat malore, një nismë kjo nga lartë-poshtë, pasi ideja i lindi Kryeministrit dhe pas kësaj, ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë u ngarkuan të zbulojnë se sa ide gjeniale është kjo e Kryeministrit. Në konferencë do të marrin pjesë ekspertë të ministrisë, si dhe profesorë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Top Channel