Urimet e politikanëve

06/11/2011 00:00

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka hapur dyert për të marrë urimet e të gjithëve në festën e Kurban Bajramit dhe ato që nuk kanë munguar asnjëherë kanë qenë ato të drejtuesve më të lartë të shtetit, por edhe të trupit diplomatik.

Këto vizita dhe urime vënë gjithmonë në dukje një nga virtytet më të mira të shqiptarëve: harmoninë dhe tolerancën fetare.

“Është dita e sakrificës njerëzore për paqen, për dashurinë dhe harmoninë. Ky është mesazhi im sot për të gjithë shqiptarët. Të kenë harmoni midis tyre, dialog dhe të bëjnë vetëm vepra të mira”, u shpreh Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

“Qëndrimi për sakrificën i pranuar nga Zoti na bën që ta shohim me optimizëm të ardhmen dhe unë uroj që kjo ditë të jetë e gëzuar dhe Bajrami i ardhshëm të na gjejë edhe më mirë”, theksoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

“Uroj që sakrifica e çdo shqiptari t’i bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të të mirës, të paqes, të shpresës, të harmonisë dhe të ardhmes”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.

Ndërsa kryetari i opozitës Edi Rama zgjodhi ta bëjë urimin e tij nga xhamia e Kavajës.

Për besimtarët myslimanë në ditën e festës, bashkë me urimin, ka ardhur edhe një lajm i mirë nga Bashkia e Tiranës.

“Dua të njoftoj se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të miratojmë komisionin për xhaminë e Tiranës ku do të përfshijmë përfaqësues të Komunitetit Mysliman. Së bashku do të nisim punën për t’i dhënë myslimanëve xhaminë që i mungon prej kohësh”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Aleanca Kuqezi: Partitë të heqin dorë nga qokat

Aleanca Kuq e Zi, duke uruar mbarë besimtarët myslimanë  për festën e Kurban Bajramit, i bëri thirrje partive politike në vend që të heqin dorë nga kryerja e qokave sipërfaqësore politike në ditën e festave fetare.

“Aleanca Kuq e Zi kërkon me forcë që në ditët e festave kombëtare të ndalohen mesazhet politike të liderëve dhe organeve politike në vend”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Sipas Aleances Kuq e Zi, liderët i përdorin festat për mesazhe politike dhe se partitë kanë politizuar në maksimum shoqërinë shqiptare, kanë politizuar çdo festë kombëtare dhe fetare.
 

Top Channel