Pejë, konferenca e Ministrave të Mbrojtjes

05/11/2011 09:25

E premtja në Pejë kishte një pamje tjetër, nga ato të zakonshmet. Në qytetin perëndimor, dhe jo vetëm për të, por edhe për Kosovën. Për herë të parë u mbajt një Konferencë Rajonale e Ministrave të Mbrojtjes.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sllovenia, arritën që të nënshkruajnë një “deklaratë të përbashkët” në fushën e sigurisë.

Përmes saj shtetet kanë rënë dakord që të koordinojnë kapacitetet për t’iu përgjigjur emergjencave civile në çfarëdo që shtetet nënshkruese e shohin të udhës.

Po ashtu, përmes saj shtetet shprehin përkrahje për pjesëmarrjen e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në nismat rajonale.

I pyetur nëse kjo do të thotë që FSK tashmë mund të quhet ushtri, ministri i kësaj force, Agim Çeku, dha këtë përgjigje:

“Të gjithë përpjekjet, puna, është që Kosova të ketë kapacitete të nevojshme ushtarake. Kështu që kjo konferencë është një hap më shumë drejt integrimit”, tha zoti Çeku.

Pjesë e kësaj deklarate mund të bëhen edhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që deri më tani refuzojnë të marrin pjesë në takimet ku është shteti i Kosovës.

Mungesa e bashkëpunimit me këto dy shtete në fushën e sigurisë, ka qenë arsyeja që organizatori i kësaj Konference Rajonale të Ministrave të Mbrojtjes, nuk iu ka dërguar ftesë.

Deklarata në fjalë është vlerësuar edhe nga Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami.

“Kjo konferencë është e rëndësishme në vetvete për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe vetë integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, tha ministri Imami.

Rëndësia e konferencës u vlerësua edhe nga Presidentja, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri, Hashim Thaçi.

Përveç 6 shteteve aty morën pjesë edhe përfaqësuesi i NATO-s, Kevin Lunch, dhe ai i komandës së SHBA-ve, Mark Montgomery.

Në hapje të Konferencës Rajonale morën pjesÄ— edhe Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës.

Ndryshe, në këtë konferencë, ajo që binte në sy, ndonëse përfaqësonin 3 shtete të ndryshme, ishin tre ministra shqiptarÄ—, ai i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Top Channel