Kaliforni, protestuesit bllokojnë portin

03/11/2011 08:35

Mijëra demonstrues kundër pushtetit të korporatave kanë bllokuar një nga portet kryesore të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet në portin e Oklandit, në Kaliforni, kanë deklaruar se operacionet detare janë pezulluar tërësisht.

Mbyllja e portit ka ndodhur në një ditë kur qindra punëtorë të qytetit, përfshirë mësuesit, iu bashkuan thirrjes për një grevë masive.

Turma protestuese ndaloi gjithashtu trafikun në një kryqëzim, ku një veteran i ushtrisë u plagos rëndë javën e kaluar teksa protestuesit përlesheshin me policinë.

Ish-marinsi Scott Olsen, 24 vjec, ndodhet i shtruar në spitalin e Oklandit pasi u godit në kokë nga një bombë gazi të lëshuar nga policia.

Kjo ngjarje katapultoi Oklandin, që ndodhet në Gjirin e San Franciskos, në qendër të lëvizjes “Pushtoni Wall Street”, duke bërë që protestat të përhapen në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Top Channel