Hondurasi si Meksika, ushtria kundër krimit

02/11/2011 19:20

Qeveria e Hondurasit ka vendosur qindra trupa në rrugët e vendit për të luftuar valën e krimit në qytetet kryesore.

Patrulla të përbashkëta ushtarësh dhe policësh janë dërguar në zonat e dominuara nga bandat kriminale.

Hondurasi ka kuotën më të lartë të krimit në botë, sipas Kombeve të Bashkuara, ku shumica e vrasjeve lidhen me trafikun e drogës.

Ditën e hënë presidenti Porfirio Lobo shkarkoi komandantët më të lartë të policisë, pasi katër oficerë të akuzuar për vrasje u liruan dhe u arratisën.

Operacioni për vendosjen e ushtrisë u kodua me emrin “Operacioni: Ndricimi” dhe filloi në qytetet Tegucigalpa dhe San Pedro Sula, në veri të vendit.

Ushtarët dhe policia kundër protestave ngritën postoblloqe, ndërsa helikopterët nisën patrullimet mbi to.

Presidenti Lobo deklaroi se qëllimi i tij është të garantojë praninë e shtetit në zonat me konfliktet më të ashpra kriminale.

Ai premtoi se do të bëjë gjithcka që i lejon ligji për të eleminuar pandëshkueshmërinë e kriminelëve që indinjon të gjithë popullin.

Me këtë veprim, qeveria e Hondurasit kopjon në një farë mënyre Meksikën, ku rreth 5 vjet më parë presidenti Felipe Calderon zbriti ushtrinë për të luftuar kartelet e drogës.

Megjithatë, kjo strategji nuk rezultoi edhe aq efikase, pasi bëri që dhuna mes grupeve të narkotrafikut të rritet dhe të shkaktojë gjatë kësaj periudhe të paktën 30 mijë viktima.

Top Channel