Europa dënon unanimisht Izraelin

02/11/2011 16:15

Vendet perëndimore kanë kritikuar vendimin e Izraelit për të përshpejtur ngritjen e banesave të reja për kolonët në Bregun Perëndimor dhe në lindje të Jeruzalemit.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, e cilësoi lëvizjen e shtetit hebre si “provokative dhe të panevojshme”. Franca dhe Gjermania gjithashtu theksuan se plani dëmton përpjekjet për paqe.

Izraeli lajmëroi për përshpejtimin e punimeve një ditë pasi Palestina fitoi antarësimin e plotë në organizatën kulturore të OKB-së, “Unesco”. Në shenjë proteste, SHBA dhe Izraeli vendosën ndërprerjen e financimit të organizatës.

”Ndërtimi i banesave për kolonët hebre është i paligjshëm nën këndvështrimin e ligjit ndërkombëtar dhe përbën serinë e fundit provokative të Izraelit, një lëvizje që nuk i ndihmon aspak bisedimet për paqen”, shkruante Hague, në një deklaratë ku përdoreshin tone veçanërisht të ashpra.

Ditën e martë, Kryeministri Izraelit, Benjamin Nenanyahu, kërkoi përfundimin sa më të shpejtë të 2 mijë apartamenteve të reja në territorin palestinez, në atë që u konsideruar gjerësisht si një lëvizje “hakmarrëse” pas vendimit të marrë në “Unesco”.

Nga ana e tij, Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se “me këtë vendim të Tel Avivit, e vetmja gjë që përshpejtohet është shkatërrimi i bisedimeve të paqes”.

Më shumë se 500 mijë hebrenj jetojnë në banesa të ndërtuara në territorin e pushtuar. Këto vendbanime konsiderohen si të paligjshme nga ligji ndërkombëtar, edhe pse Izraeli nuk e njeh këtë nen.

Top Channel