Analiza, Italia “flirton” me rrezikun

02/11/2011 21:00

E ardhmja e Greqisë, nga e cila varet edhe e ardhmja e Europës, është shndërruar në temën e ditës në të gjitha mediat botërore. Megjithatë, ndërsa fakti që ekonomia greke është në kolaps nuk përbën më lajm, është Italia vendi që po “flirton” me të vërtetë me krizën e borxheve.

Në situatën e pasigurtë, kreditorët kërkojnë nga Roma që të emetojë borxhe me nivel 6,4% për të investuar në letra me vlerë 10-vjeçare, shumë pranë kufirit të lejuar prej 7%, i cili nëse tejkalohet e bën shumë të vështirë për shtetet që të financojnë borxhin e tyre.

Për Eurozonën, rikthimi i Greqisë në dhrahmi mund të përbëjë një problem shumë të vështirë për t’u zgjidhur. Në rastin e Italisë, pasojat janë të pallogaritshme. Nëse Greqia, Irlanda dhe Portugalia, bashkuar së bashku përbëjnë 6% të ekonomisë së Eurozonës, ekonomia italiane është 17% e totalit.

Javën e shkuar, frika e një falimentimi masiv u duk se u tejkalua, me planin që përveçse jepte një zgjidhje për Greqinë, miratonte edhe një fond shpërtimi prej një trilion eurosh, i cili do të përdorej për të shpëtuar çdo vend të Eurozonës që mund të kishte nevojë.

Bursat reaguan me optimizëm, duke fituar midis 5-7% të vlerës në vetëm disa orë, por disa ditë më pas, Europa është rikthyer në pesimizëm. Greqia ka vendosur të mbajë një refendum që ka pak gjasa të aprovojë masat, por më e keqja, nuk dihet se kush mund të paguajë shumën kolosale prej një trilioni, para që vendet europiane nuk i kanë.

“Investitorët e kanë humbur tërësisht besimin dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e keqe, pasi ky është momenti që nevojiten më shumë se kurrë likuiditete”, shkruante një prej ekspertëve të “CNN”. “Kina mund të jetë një zgjidhje, por në rastin më të mirë ajo do të kërkonte në këmbim të investimeve një rritje të madhe të influencës në Europë dhe në rastin më të keq, nuk do të pranonte të investonte fare në këtë “kumar” gjigant”.

Në këto kushte, Italia shndërrohet në një dhembje koke për të gjithë, pasi siç përkufizohet nga ekspertët, “nëse Greqia ishte një sëmundje për Eurozonën kur ajo kishte një trup të shëndoshë, Italia do të ishte një sëmundje më e rëndë e një trupi tashmë të sëmurë”.

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, është nën presionin e madh të Gjermanisë dhe Francës për të reduktuar borxhin kolosal prej 1,9 trilion eurosh, i barazvlefshëm me 120% të imputit të përgjithshëm ekonomik. Problemi i vetëm, askush nuk e di se si Berlusconi mund ta bëjë diçka të tillë, sidomos në një moment kur ekonomia italiane për të disatin vit rresht qëndron në stanjacion.

Top Channel