Udhëheqësit e shteteve më të fuqishme në botë do të takohen këtë javë në Francë, në bisedime ku kriza e borxheve në Eurozonë do të jetë në qendër të vëmendjes.
Sipas asaj që shkruante “Financial Times” ditën e martë, pasi një marrëveshje jo e plotë për daljen nga kriza u miratua nga vendet e BE-së, pritet që G20 të jetë samiti që të përcaktojë “trajektoren” e re të ekonomisë botërore.
Megjithatë, i gjithë çelësi për zgjidhjen e problemeve duket se qëndron në dorën e Kinës, i vetmi shtet që ka likuiditete të tilla që e lejojnë të blejë një pjesë të këtij borxhi dhe të hedhë fonde aq të domosdoshme në tregjet botërore.
Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, pritës i samitit, ka kontaktuar ndërkohë Pekinin, nëpërmjet një kanali jozyrtar, për të testuar gatishmërinë e autoriteteve komuniste për investime me risk të lartë brenda vendeve të Eurozonës.
Italia, e cila është vendosur së fundi nën presion për defiçitin e lartë buxhetor, pritet të jetë gjithashtu në qendër të bisedimeve.
Me ekspertët që janë të paaftë të parashikojnë nëse Roma është në gjendje të paguajë borxhin e saj, tregjet mbeten shumë të tensionuara dhe euro është në rënie. Një kolaps i mundshëm i ekonomisë italiane, do të kishte pasoja shumë më të mëdha për Eurozonës, se sa kriza greke.
Çështja e tretë ku do të përqendrohen bisedimet e G20-s është rritja ekonomike. Vendet që formojnë këtë grupim kanë pësuar të gjitha bashkë një rritje prej 3,9% gjatë 2011-s, çka përbën një reduktim nga rritja 5,2% e vitit të shkuar.
Top Channel