Si një kërcënim i madh për vendet e Europës Jug-lindore, por në disa raste edhe si një shans, etiketohet kriza greke nga analiza të ndryshme të specialistëve të ekonomisë në shtypin vendas.

Analizat kryesisht mbështeten edhe tek raporti i fundit Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim sipas të cilit kriza që ka prekur Greqinë dhe reduktimi i borxhit grek do të kenë domosdoshmërisht pasoja negative në vendet ballkanike.

Si më të ekspozuara ndaj krizës ata vecojnë Maqedoninë, Shqipërinë dhe Serbinë, ndërsa më pak do të preken Bullgaria dhe Rumania.

Shqipëria, shkruhet në raport, përjetoi një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në tremujorin e fundit për shkak të performancës se dobët të tregjeve të saj kryesore nga vendet e BE, Greqisë dhe Italisë. Tregëtia, investimet dhe remitancat në lidhje më këto vende ka të ngjarë të cojnë pas zhvillimin ekonomik të vendit në vitin që vjen.

Kështu parashikohet që në të gjithë vendet e Ballkanit në vitin 2012 zhvillimi ekonomik të bjerë në 3.2% nga 4.5% që ishte në 2011.

Goditja e madhe që do të pësojë Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit vjen si pasojë e numrit të madh të bizneseve greke në këto vende, të cilat për shkak të tronditjeve nga kriza, mund të mbyllen ose të zvogëlojnë numrin e të punësuarve duke hedhur në rrugë mijëra vetë.

Shqetësimi më i madh vjen sidomos nga sektori bankar ku ende nuk dihen pasojat që do të kenë bankat greke në Shqipëri, pasi me një bilanc paraparak nga reduktimi me 50% i borxhit, bankat “mëmë” në Greqi humbasin në total mbi 18 miliard euro.

Nga ana tjetër, sic thekson gazeta “To Ethnos”, e së dielës, biznesmenë të tjerë, duke kërkuar rrugëdalje nga kriza, shprehin një tentativë për të transferuar bizneset e tyre në Shqipëri.

Ky fakt vërtetohet edhe nga zyra e Cështjeve Ekonomike dhe Tregëtare të ambasadës greke në Tiranë e cila ka pranuar gjate 2 viteve të fundit, mbi 800 kërkesa nga biznese greke, që kërkojnë informacione për tregun shqiptar në mënyrë që të investojnë në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA