AKBN, masa administrative për 67 subjekte minerare

02/11/2011 08:25

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (në varësi të METE-s) vendosi dje masa administrative për 67 subjekte minerare.

Sipas gazetës ‘Shqip’, grupi i punës, i ngritur pranë këtij institucioni, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin që këto subjekte kanë paraqitur pranë AKBN-së, konstatoi disa shkelje që lidhen me moszbatimin e ligjit minerar.

64 subjekte nuk kanë paraqitur planin vjetor të punës dhe informacionin vjetor financiar, dy subjekte u ka mbaruar afati i lejes minerare dhe nuk kanë paraqitur pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore asnjë dokumentacion. Ndërsa nga një tjetër subjekt është propozuar revokimi i lejes minerare, për shkak se që nga marrja e lejes minerare nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumentacioni.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore bën me dije se subjektet e gjobitura, menjëherë pasi të vihen në dijeni të këtij njoftimi, duhet të fillojnë procedurat për të paguar detyrimet dhe të merren masa në mënyrë që veprimtaria minerare e tyre të jetë në përputhje me plotësimin e detyrimeve dhe kërkesave ligjore në fuqi. Njëkohësisht, AKBN bën me dije se subjektet do të jenë në vëzhgim dhe objekt i kontrolleve të vazhdueshme.

Nëse ky institucion vëren se do të vazhdojë mosrespektimi i detyrimeve ligjore, atëherë masat që do të merren është propozimi i revokimit të lejes minerare.

Top Channel