Japoni, 30 vjet për të pastruar mbetjet radioaktive

01/11/2011 18:10

Mbyllja përfundimtare e katër reaktorëve të centralit të dëmtuar të Fukushimës mund të kërkojë deri në 30 vjet kohë për t’u realizuar, informoi një raport zyrtar gjatë të martës.

Në draftin e përgatitur, të hartuar nga Komisioni Japonez i Energjisë Bërthamore, shkruhet se pastrimi i zonës nga mbetjet ose karburanti radioaktiv duhet të fillojë në fund të vitit 2021.

”I kemi vendosur vetes si qëllim që të fillojmë pastrimin brenda një periudhe 10-vjeçare dhe vlerësohet që procesi do të zgjasë edhe 30 vjet të tjerë, pasi do të jetë një operacion i vështirë dhe tepër i rrezikshëm”, shkruhej në raport.

Muajin e shkuar, kompania që operon centralin, kompania elektrike e Tokios, bëri me dije se inxhinjerët e saj duhet të jenë në gjendje të ftohin dhe të nxjerrin nga puna reaktorët e mbetur deri në fund të vitit.

Temperaturat në tre reaktorët e dëmtuar janë ulur për herë të parë që prej tërmetit shkatërrimtar të 11 marsit nën nivelin e 100 gradëve celcius, por ftohja duhet të vazhdojë, në mënyrë që të zhduket çdo mundësi për rikrijimin e reaksioneve zinxhir.

Top Channel