Izraeli mund të sulmojë Iranin

01/11/2011 20:45

Izraeli do të ndërmarrë një nismë diplomatike për të bindur vendet perëndimore në shtrëngimin e sanksioneve ndaj Iranit, në të njëjtën kohë që përgatitet për një sulm ushtarak ndaj shtetit të madh arab.

Ky ishte përfundimi që disa ekspertë që nuk donin të identifikoheshin publikuan në një të përditshme prestigjioze izraelite. Sipas tyre, shpallja e luftës ndaj Iranit është mundësia e fundit e dëshiruar nga Tel Avivi, por ajo nuk mund të përjashtohet kategorikisht.

“Progresi domethënës që ka kryer Irani në të gjithë komponentët e programit të tij bërthamor, sidomos në pasurimin e uranimit, është një kërcënim që duhet trajtuar me përparësinë më të lartë”, shkruhej së fundmi në një kabllogram sekret të autoriteteve izraelite, zbuluar nga “Wikileaks”. “Programi iranian është ushtarak dhe në dritë të raportimeve të Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, ekziston një frikë serioze se ata janë duke zhvilluar raketa balistike me mbushje bërthamore”.

Duke u rikthyer tek analiza e gazetës, ekspertët sigurojnë se ushtria izraelite po kryen stërvitje dhe armatime të tilla që të çojnë të besosh në përgatitjen e detajuar të një ndërhyrje parandaluese.

Diçka e tillë është realizuar më parë në fillimin e viteve 1980, kur pas të dhënave të siguruara nga shërbimi sekret, avionët e ushtrisë izraelite shkatërruan një reaktor që ishte duke u ndërtua në një lokalitet sekret në Irak.

Megjithatë, Tel Avivi zyrtar e ka të qartë që nuk mund të bazohet në një operacion të njëjtë, pasi ushtria iraniane është një prej më të fortave në rajon dhe përfshirja në një konflikt të përgjakshëm është pothuajse i sigurt.

Top Channel