Negocimi i ndërkombëtarëve në formimin e komisionit parlamentar që do të merret me reformën zgjedhore pritet të japë efektet e para pozitive gjatë ditëve në vazhdim. Damian Gjiknuri, i ngarkuar nga PS në negocimin për çështjet zgjedhore shpjegon progresin e deritanishëm.
“Ka komunikim mes palëve. Ka një interesim të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët. Ka gadishmëri nga Komisioni i Venecias për të ndihmuar komisionin dhe jo partitë politike. Çështjet e debatueshme duhet të kanalizohen tek komisioni. Interesimi i partnerëve ndërkombëtare që të nisë sa më shpejt procesi është i madh. Jemi duke u përpjekur të adresojmë të gjitha pikat kryesore në një dokument-platformë, që të jetë në gjendje të përmbledhë pikat kryesorë, ndërsa më pas detajet do të vendosen në tryezën e bisedimeve”.
I pyetur se sa e gatshme është Partia Socialiste për të nisur këtë proces, Gjiknuri përgjigjet: “Jemi të gatshëm të nisim sa më shpejt, që nesër, nëse plotësohen disa ndjeshmëri të Partisë Socialiste rreth disa problemeve kryesore. Duhet të merren parasysh disa pika që të arrijmë në konsensus të gjerë, pika që nuk i ngre vetëm PS, por që figurojnë edhe në raportin e ODIHR si problematike. Kështu interesi do të jetë i përbashkët, ndërsa koha për veprim është kritike, reforma duhet të bëhet tani për të patur garanci që do të jetë e suksesshme”.
Zoti Gjiknuri pohon se socialistët i kanë gati propozimet në lidhje se çfarë sistemi zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme. “Është e rëndishme të aplikojmë një lloj elementi korrektues, që të korrigjojmë proporcionalitetin e votës. Ky sistem i bie në qafë partive të vogla dhe kjo është pranuar edhe nga Kryeministri Berisha. Kjo çështje do të dalë në tryezën e bisedimeve dhe shpresojmë që të jemi në gjendje të gjejmë një konsensus edhe për çështjen e sistemit zgjedhor”.
Top Channel