Bulqizë, ACR shkarkon tre përgjegjës

22/10/2011 19:35

Kompania ACR në Bulqizë ka mbajtur një mbledhje ku ka analizuar aksidentin e ndodhur me shpërthimin që vrau një minator dhe plagosi 8 të tjerë.

Mbas diskutimeve dhe analizës mesohet se është shkarkuar shefi i brigadës së ajrimit të minierës, i është dhënë paralajmërim për pushim nga puna përgjegjësit të nivelit 16 dhe është shkarkuar bigadieri i këtij niveli.

Këto janë disa nga masat që ka ndërmarrë vetë kompania, por nderkohë prokuroria po bën hetimet për të nxjerrë shkaqet dhe shkaktarët që sollën aksidentin e rëndë në galeri.

Paralel me prokurorët, që kanë hyrë në minierë, po heton edhe reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave.

Ngjarja ndodhi kur grupi i minatorëve u fut në nivelin 16 për të vendosur sistemin e ajrimit të tij. Gazmatësi diktoi nivele shumë të larta të hidrogjenit dhe kërkoi që minatorët të dilnin me shpejtesi, por fatkeqësisht një shkëndijë e ndezi atë dhe shkaktoi shpërthimin tragjik.

Ekipet e shpëtimit i nxorrën minatorët nga nëntoka. Fillimisht dolën 8 prej tyre, njëri prej të cilëve i vdekur, ndërsa më vonë u gjet edhe minatori i nëntë i plagosur.

Të dëmtuarit pësuan fraktura dhe djegie të mëdha dhe u nisën për në spitalin e qytetit. Më pas tre prej tyre u dërguan në Spitalin Ushtarak në Tiranë me helikopter dhe më pas në spitalin amerikan.

Ditën e mërkurë minatorët braktisën punën në minierë, në shenjë proteste për tragjedinë e një dite më parë dhe morën pjesë në ceremoninë e varrimit të minatorit që humbi jetën, Naim Shyti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA