Zyrtarët USA, kontakte me rrjetin Hakani

21/10/2011 17:15

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të grupit militant Hakani.

Lajmin e ka bërë të ditur sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e cila nuk ka dhënë detaje mbi pjesëmarrësit dhe ditën e saktë të takimit.

Por, një zyrtar i vjetër amerikan ka deklaruar se takimi është zhvilluar gjatë verës, para sulmeve të fuqishme që u kryen ndaj selive amerikane në Kabul.

Zonja Clinton ishte në Islamabad për një sërë bisedimesh, ku ajo i bëri thirrje Pakistanit që të përdorë dorë të hekurt ndaj Hakanit.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara zhvilluan një takim paraprak me përfaqësuesit e rrjetit Hakani, thjesht për të parë nëse ata do të paraqiteshin në të.

“Në fakt, zyrtarë të qeverisë pakistaneze ndihmuan në caktimin e këtij takimi. Kemi vendosur kontakte me talebanët dhe me rrjetin Hakani për të testuar vullnetin dhe sinqeritetin e tyre”, deklaroi Clinton për disa gazetarë pakistanezë.

“Aktualisht ne jemi duke punuar mes nesh, në përpjekje për të organizuar një proces që do të na conte drejt një negocimi”, shtoi shefja e diplomacisë amerikane.

Lajmet për një takim të tillë filluan të qarkullonin gjatë verës, por në atë periudhë Shtetet e Bashkuara refuzuan t’i konfirmonin ato.

Rrjeti Hakani, me bazë në Pakistan dhe që vepron ngushtë me talebanët, është fajësuar për një seri sulmesh të profilit të lartë ndaj objektivave perëndimorë dhe indianë në Afganistan.

Top Channel