Bruksel, bisedime për krizën e borxhit

21/10/2011 17:35

Ministrat e Financave të eurozonës po zhvillojnë një takim për të diskutuar mbi krizën e borxhit, i pari i një serie samitesh që do të mbahen në Bruksel në ditët e ardhshme.

Ministrat nga 27 vendet anëtare të BE-së do të zhvillojnë sërish bisedime ditën e shtunë, të dielën, si dhe të mërkurën në një takim shtesë.

Atyre u duhet të bien dakord për një ndihmë të dytë financiare për Greqinë, për rikapitalizimin e bankave dhe për forcimin e fondit të ndihmave, edhe pse këtu ka ndarje të thellë mes Francës dhe Gjermanisë.

Pikërisht këto dy vende duhet të bien dakord mbi mënyrën e rritjes së kapaciteteve të fondit të ndihmës së euroznës, i njohur ndryshe si Fondi Evropian për Stabilitetin Financiar, nga gjendja e tij prej 440 miliardë eurosh.

Franca ka propozuar kthimin e fondit në një bankë, në mënyrë që të mund të tërheqë hua nga Banka Qendrore Evropiane.

Por Gjermania e ka kundërshtuar këtë opsion me argumentin se një gjë e tillë do të kompromentonte paanshmërinë e BQE-së.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble ritheksoi këtë qëndrim të qeverisë gjermane sapo mbërriti në takimin e Brukselit.

Qeveria e Berlinit u ka premtuar taksapaguesve të saj se kontributi i Gjermanisë nuk do të shkojë mbi 211 miliardë euro dhe se po kërkon që rritja të mos ndikojë tek taksat e gjermanëve.

Top Channel