Përçarja franko-gjermane, bursat në rënie

20/10/2011 16:20

Bursat botërore kanë rënë gjatë ditës nga frika se liderat e vendeve të Eurozonës nuk janë të bashkuar në planin që duhet të shpëtojë ekonominë e përbashkët nga futja në krizë.

Pas një takimi me Kancelaren Gjermane, Angela Merkel, në Frankfurt, Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, u raportua të thonte se të dy vendet kanë qëndrime diametralisht të kundërta për rrugën që duhet ndjekur në zgjidhjen e krizës.

Si rrjedhojë, bursa londineze, “FTSE”, pësoi një rënie prej 1,4%, ndërsa tregjet franko-gjermane gjithashtu regjistruan zhvlerësim. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, i bëri thirrje dy superfuqive të Eurozonës që të gjejnë një marrëveshje të përbashkët.

Më parë gjatë ditës, edhe bursat aziatike, “Hang Seng” i Hong Kongut dhe “Kospi” i Koresë së Jugut, e mbyllën ditën me humbje prej 1,8 dhe 2,7%, përkatësisht.

Duket se ndërsa Gjermania është pro idesë së faljes së një pjesë të borxheve për Greqinë dhe vendet e të tjera të zhytura në probleme financiare, Parisi zyrtar e kundërshton me vendosmëri këtë ide, me argumentin se bankat franceze janë më të zbuluara përballë një krize dhe se falja e borxheve do t’i zhyste ato në vështirësi të mëdha.

Një samit i liderave të Eurozonës do të mbahet ditën e dielë dhe në të ishte paralajmëruar se do të gjendej një zgjidhje, por Berlini ka theksuar se nuk është e thënë që kjo të ndodhë.

Top Channel