Teori e re: Hitleri vdiq 73 vjeç në Argjentinë

18/10/2011 16:50

Një prej ngjarjeve më të mëdha historike, fundi i Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë falsifikuar, të paktën në një fakt thelbësor, siç është vdekja e njeriut që shkaktoi konfliktin më të përgjakshëm ndonjëherë, Adolf Hitleri.

Një libër i ri historik është publikuar në Britani prej disa ditësh, duke ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik. Me disa historianë që kanë punuar për realizimin e këtij libri, ai ofron disa fakte të panjohura.

Megjithatë, historianë të Akademisë Britanike të Shkencës e kanë cilësuar veprën e titulliar “Ujqërit Gri: Arratisja e Adolfit”, si një libër qesharak, që përmban më shumë fakte fantastikë se sa realë.

Sipas provave që pretendohet se jepen në libër, Hitleri ndoqi të njëjtën rrugë si shumë nazistë të tjerë, të cilët pavarësisht pushtimit nga forcat aleate dhe sovjetike, arritën të shkonin deri në shtete të Amerikës Latine.

Midis këtyre nazistëve, është edhe famëkeqi Eichman, i cili jetoi në Argjentinë deri në vitin 1959, përpara se të sekuestrohej nga Shërbimi Sekret Izraelit dhe të dënohej me vdekje në një gjykim të mëvonshëm në Tel Aviv.

Sipas autorëve, edhe fati i Hitlerit dhe bashkëshortes së tij ishte i ngjashëm. Të dy ata u arratisën për në Argjentinë. Ndonëse nuk ka shpjegime se si u krye udhëtimi, në libër jepen prova të ekzistencës dhe jetesës së tyre në vendin latin. Jo vetëm kaq, por pretendohet se nën identitetin e ri, Hitler dhe Eva patën dy vajza, ndërsa diktatori jetoi deri në vitin 1962, duke ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare.

Në favor të kësaj teorie të re duket se qëndron edhe fakti se fragmentet e një kafke të gjetura në vendin ku mendohej se u varros diktatori, është zbuluar se i përkisnin një gruaje nën moshën 40-vjeçare.

Sipas versionit të pranuar gjerësisht, Adolf Hitler dhe Eva Braun kryen vetvrasje në 30 prill 1945, disa ditë përpara se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore në Europë. Besohet se diktatori vendosi t’i jepte fund jetës së tij, për të mos rënë në duart e ushtrisë sovjetike.

Top Channel