Progres-raporti i Komisionit Evropian për Kosovën propozon që, për zgjidhjen e çështjes së veriut të vendit të hartohet një strategji gjithëpërfshirëse për vendosjen e rendit dhe ligjit.

Lidhur me këtë rekomandim zv/kryeministri Hajredin Kuci thotë se, janë zhvilluar biseda shtesë me përfaqësues të Komisionit Evropian për të kërkuar sqarim rreth kësaj cështje.

Sipas Kuçit, Komisioni Evropian nuk ka kërkuar diçka më tepër për veriun, por thjesht ka kërkuar angazhime, të cilat janë edhe pjesë e planit të qeverisë.

“Ju e keni vërejtur që ne kemi ndarë kohë pas kohe donacione të veçanta për atë pjesë. Qëllimi ynë që të jemi atraktivë është që mbi të gjitha qytetarët tanë serbë atje të lidhen me interesa, në kuptimin pozitiv, me institucionet e Kosovës, ta shohin perspektivën në Kosovë dhe po ashtu të prekin edhe ndihmat dhe përkrahjen që jep qeveria e Kosovës”, deklaron Kuci.

“Për shkak të gjendjes që ka qenë atje, për 12 vjet me radhë ne nuk kemi qenë në gjendje që të ofrojmë atje qoftë infrastukturë rrugore, shkollore, ndihma ekonomike, apo zhvillim tjetër, qoftë në bujqësi. Dhe kjo na ka bërë neve që të jemi pak më të largët me ata. Ne do ta rrisim përkushtimin tonë, por fillimisht ka nevojë që të hiqen ata zaptuesit e asaj pjese. Është fjala për disa kriminelë që në emër të një patriotizmi zaptojnë atë pjesë, zaptojnë qytetarët atje dhe mbi të gjitha identifikohen me kontrabandën dhe me shkeljen e ligjit”, nënvizon Kuci.

Veriu është një punë sfiduese dhe kërkon angazhim, koordinim dhe bashkërendim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, por Kuçi thotë se duhet pasur besim në veprimet që marrin institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.

“Natyrisht gjithmonë vendimet dhe perceptimi ynë ka qenë që t’i heqim ato barrikada dhe do të hiqen, por mos të lëndohen qytetarët e pafajshëm dhe mos të krijohet përshtypja që kemi ndonjë ndjekje masive ndaj qytetarëve tanë serbë”, shprehet Kuci.

Zëvendëskryeministri Kuçi para një muaji ka thënë se durimit të institucioneve të Kosovës për situatën në veri do t’i vijë fundi, ndërkohë që vazhdon ende të thotë se duhet durim. Raport-progresi i publikuar javën e kaluar ka nxjerrë rekomandime për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA