Drejtues shtetesh, mbledhje për ETA-n

17/10/2011 15:20

Ish-shefi i OKB-së, Kofi Annan dhe drejtues e ish-drejtues të tjerë shtetesh janë mbledhur në Spanjën veriore, në një takim që mund të shërbejë si prelud i shpërbërjes së grupimit separatist ETA.

Lëvizja e armatosur për pavarësinë e krahinës baske është bërë përgjegjëse për më shumë se 800 viktima në katër dekadat e veprimtarisë së saj, por së fundmi është dobësuar ndjeshëm për shkak të arrestimeve të shumta.

Ish-Kryeministri irlandez, Bertie Ahern, do të jetë midis të pranishmëve më të rëndësishëm, pasi ai mund të tregojë shumë në lidhje me përvojën e tij me grupimin e ngjashëm, IRA. Ahern luajti një rol të rëndësishëm në kohën e tij, në fundin e konfliktit irlandezo-verior.

Jonathan Powell, i cili luajti një rol shumë të rëndësishëm në ato bisedime, si i dërguar i ish-Kryeministrit Britanik, Tony Blair, është gjithashtu i pranishëm në mbledhje.

Javë më parë, drejtues të grupimit u shprehën se i kanë dhënë fund përgjithmonë lëvizjes së tyre të armatosur, por marrëveshja përfundimtare e armëpushimit me Madridin duhet ende të nënshkruhet.

Me figura të rëndësishme ndërkombëtare që kanë mbërritur në Spanjë, besohet se ky dokument mund të nënshkruhet brenda disa ditëve të ardhshme. ETA konsiderohet si një lëvizje terroriste në Spanjë, BE dhe SHBA. Nuk është e qartë nëse organizata do të hapë debatin e lirimit të të burgosve të saj, të cilët gjithmonë e kanë cilësuar veten si të burgosur politik.

Top Channel