Mijëra persona në Times Square të Nju Jorkut

16/10/2011 12:05

Policia në Nju Jork arrestoi 70 persona, ndërsa Lëvizja “Pushtoni Uoll Stritin” u zhvendos në Tajms Skuer.

Të paktën 45 persona u arrestuan aty dhe 24 të tjerë pranë parkut “Uashington Skuer” po në Nju Jork. Kjo vjen një ditë pas protestave botërore kundër masave për shpëtimin e ekonomisë dhe atë që pjesëmarrësit e cilësojnë babëzi të koorporatave.

Por jo vetëm në Nju Jork, protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjerë të Shteteve të Bashkuara. Të paktën 5000 persona që u mblodhën në Los Anxheles dhe 2000 të tjerë marshuan në Pitsburg. Në Romë, të paktën 70 persona u plagosën pas një marshimi paqësor, i cili u shndërrua në një betejë të vërtetë.

Persona të veshur me të zeza nisën t’i vënë flakën makinave, sulmuan bankat dhe dyqanet. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, e cilësoi dhunën një shenjë shqetësuese dhe tha se autorët duhet të kapen dhe të dënohen. Kryebashkiaku i Romës, Xhani Alemano, akuzoi për dhunën disa banda, të mbledhur nga e gjithë Italia e ndoshta nga Europa, të cilët u infiltruan në protestë.

Në Madrid, protesta pati një atmosferë më festive. Dhjetëra mijëra njerëz, të të gjithë moshave, mbushën sheshin Puerta Del Sol të shtunën.

Në Portugali, 20 mijë marshuan në Lisbonë dhe po kaq në Oporto.

Në Greqi, rreth 2000 u mblodhën jashtë parlamentit të Athinës dhe pothuaj kaq në Selanik.

Në Londër u mblodhën rreth 1000 protestues, por u ndaluan nga policia.

Protesta të ngjashme u zhvilluan dhe në qytete të ndryshme të Azisë.

Top Channel