BE, investim gjigant në hekurudha dhe internet

15/10/2011 00:00

Komisioni Europian do të propozojë investimin e 9,2 miliardë eurove, në
një projekt gjigant për shtimin e lidhjeve ultra të shpejta hekurudhore
brenda vendeve të Bashkimit Europian.

Plani synon gjithashtu të nxisë zhvillimin e mëtejshëm rural dhe krijimin e një tregu të vetëm brenda BE-së, për të gjitha produktet dixhitale. Në një vendim të mëparshëm, Komisioni kishte marrë një vendim për të përmirësuar lidhjet e internetit dhe shpejtësinë e tij.

Deri në vitin 2020, në të gjitha shtëpitë europiane shpejtësia e lejuar do të jetë prej të paktën 30 megabits në sekondë, ndërsa gjysma e popullsisë do të ketë lidhje më të shjpejta se 100 mb/s, duke rritur kështu produktivitetin e këtij produkti.

Ndonëse Bashkimi Europian ndodhet në mesin e një debati se si duhet të përballojë krizën e borxheve, Komisioni ka të qartë që paratë që duhet të shkurtohen nuk duhet të jenë ato të investimeve mbi projektet e së ardhmes.

Nëse plani do të aprovohet nga Këshilli dhe Parlamenti Europian, atëherë zbatimi i tij do të ndodhë midis viteve 2014 dhe 2020.

”Europa ka nevojë për këto lidhje të shpejta interneti dhe transporti për të lejuar ekonominë që të bëhet më e konkurrueshme në të ardhmen, për të krijuar më shumë vende pune dhe begati”, thanë burime brenda Komisionit. “Ky projekt do të nxisë një investim të madh nga sektori publik. Është llogaritur që për çdo euro që do të shpenzojë Komisioni, do të vijnë gjashtë të tjerë nga kompanitë private”.

Top Channel