Obama për Iranin: Do aplikojmë sanksione

14/10/2011 01:30

Shtetet e Bashkuara ashpërsuan tonet kundër Iranit, pas zbulimit të komplotit për të vrarë ambasadorin e Arabisë Saudite në Uashington. Presidenti amerikan, Barak Obama në deklaratën e parë publike për çështjen e cilësoi një model të rrezikshëm dhe sjellje të papërgjegjshme të Iranit. Ai theksoi se për këtë akt do të merren sanksione të rrepta me qëllim mobilizmin e bashkësisë ndërkombëtare dhe izolimin e shtetit iranian.

“Në respekt të menyrës se si u përgjigjem, hapi ynë i parë është të garantojmë se ne do të ndjekim penalisht ata individe që janë përmendur në akt-padi dhe unë ia lë prokurorit të Përgjithshëm detyrën të shpjegojë se si do të procedoje. Gjëja e dytë që ne do të bëjmë, është të zbatojmë sanksionet më të rrepta dhe të vazhdojmë të mobilizojmë bashkësinë ndërkombëtare për të garantuar që Irani të izolohet edhe më shumë dhe të paguajë çmimin për një sjellje të tillë”, – tha presidenti Obama.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin e Koresë së Jugut Li Mjung Bak, Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë nga tryeza asnjë mundësi kur flitet për Iranin.

“Tani ne nuk përjashtojmë ndonjë mundësi nga tavolina në mënyrën se si do të operojmë me Iranin, por çfarë ne mund të presim është se do të vazhdojmë të zbatojmë atë lloj presioni që do të ketë një impakt direkt në qeverine iraniane derisa të bëjë zgjedhje më të mira për mënyrën si do të ndërveprojë me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare”, vazhdoi Obama.  

Të martën, autoritetet e Shteteve të Bashkuara zbuluan një komplot të organizuar nga dy burra të lidhur me Forcat Kuds,  për të eliminuar fizikisht ambasadorin e Arabisë Saudite, Adel Al Xhubeir. Njëri prej tyre u arrestua muajin e kaluar ndërsa tjetri besohet se është në Iran.

Top Channel