Itali, Berlusconi konfirmohet pas votëbesimit

14/10/2011 15:10

Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, i mbijetoi votëbesimit në parlament, pavarësisht skandaleve personale në të cilat është përfshirë.

Pasi dështimit të miratimit të buxhetit me vetëm një votë, opozita kërkoi që qeveria të testohej nëse vazhdonte të kishte shumicën. Berlusconi morri 316 vota pro dhe 301 kundër, duke konfirmuar vazhdimësinë e mandatit të tij si Kryeministër, i cili skadon në 2013-n.

Për t’u konfirmuar, Berlusconit i nevojitej një shumicë e thjeshtë midis 630 deputetëve që ka Parlamenti Italian. Partia e tij, “Partito della Liberta”, së bashku me aletët kryesorë të “Ligës së Veriut”, kanë 293 vende. Disa parti të vogla u bashkuan me pozitën, me argumentin se nuk është e dobishme për vendin që të ndërrojë qeverinë e tij, në mesin e një krize ekonomike.

Parlamenti u ngrit në këmbë në duartrokitje pas konfirmimit të Kryeministrtit shumë të debatueshëm, i cili përballet në gjykatë me akuzat e abuzimit me të mitura, korrupsion dhe abuzimit me detyrën.

Lideri i opozitës, Pierluigi Bersani, në një fjalim të mbajtur përpara mbajtjes së votimit, u shpreh se “qeveria nuk është e aftë të përballojë situatën. Problemet kanë dalë jashtë kontrollit dhe Berlusconi arrin të qëndrojë në pushtet vetëm duke përdorur marifete të ulta”.

Në Italinë e përfshirë nga kriza, popullariteti i Berlusconit ka rënë më shumë se kurrë, duke patur mbështetjen e vetëm 24% të popullsisë. Megjithatë, ai ka arritur t’i mbijetojë votëbesimeve të vazhdueshme në parlament.

Top Channel