Barroso prezanton planin anti-krizë

12/10/2011 17:15

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso ka prezantuar një plan që ka si qëllim dhënien fund të krizës së borxhit në eurozonë.

Në një fjalim të mbajtur, Barroso deklaroi se bankat duhet të vënë mënjanë më shumë asete për të qenë më të mbrojtura nga humbjet në të ardhmen.

“Bankat e mbështetura nga fondi i ndihmës i eurozonës duhet të mos japin më pjesë nga fitimet apo shpërblime”, tha Barroso.

Presidenti i KE nënvizoi se plani në fjalë projekton rrugën e Evropës për të dalë nga kriza ekonomike.

“Përgjigjet reaktive dhe të pjesshme ndaj aspekteve të ndryshme të krizës nuk janë më të mjaftueshme”, u shpreh zoti Barroso.

Komisioni Evropian e ka vlerësuar planin si një “përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj krizës”.

Ai përmban pesë pika aksioni, që sipas presidentit, do të përcajnë rrethin vicioz që ekziston mes dyshimeve për vazhdimin e krizës së borxhit, stabilitetit të sistemeve bankare dhe perspektivave të rritjes ekonomike të vendeve të BE.

Pesë pikat e planit janë këto:

Pika 1 – Reagim vendimtar për Greqinë në mënyrë që të bien të gjitha dyshimet mbi mbështetjen e ekonomisë së vendit. Kjo përfshin edhe lirimin e këstit më të fundit të ndihmave.

Pika 2 – Implementim të masave të miratuara në korrik, që përfshijnë rritjen e kapaciteteve të Fondit Financiar Evropian të Stabilitetit në 440 miliardë euro dhe përshpejtimin e fondit të tij pasardhës, Mekanizmi Evropian i Stabilitetit.

Pika 3 – Aksion të koordinuar për përforcimin e bankave evropiane, të cilat duhet të lënë mënjanë më shumë asete për të mbuluar humbjet, duke ndërprerë financimet private apo të qeverive nëse është e nevojshme. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, ato mund të mbështeten tek FFES, por nëse e bëjnë këtë nuk do të lejohen të paguajnë pjesë të fitimeve apo shpërblime.

Pika 4 – Të përshpejtohen politikat për të nxitur rritjen dhe stabilitetin ekonomik, si për shembull duke zbatuar marrëveshje të tregtisë së lirë.

Pika 5 – Të ndërtohen baza më të forta për qeverisjen ekonomike në vendet e eurozonës.

Top Channel