Buxheti i mbrojtjes, Shqipëria shkel standardin e NATO-s

10/10/2011 08:00

Në Bruksel është thënë gjithnjë se politikanët e Shqipërisë kanë shumë fjalë dhe pak vepra, por kur vjen fjala te detyrimi buxhetor pas anëtarësimit në NATO, kjo shprehje ka më shumë kuptim.

Qeveria shqiptare ka për detyrë të shpenzojë 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e mbrojtjes, si pasojë e anëtarësimit në NATO, por të dhënat e vitit 2010 tregojnë se shpenzimet e Ministrisë së Mbrojtjes përbëjnë vetëm 1.08 për qind të PBB-së.

Sipas gazetës ‘Shqip’, të dhënat nga bilanci i qeverisë tregojnë se buxheti i mbrojtjes për vitin 2010 u caktua në masën 25 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 2 për qind të PBB-së, por qeveria ra në vështirësi për shkak të mungesës së të ardhurave dhe në qershor 2010 e reduktoi buxhetin fillestar për mbrojtjen në 19.7 miliardë lekë ose vetëm 1.6 për qind të PBB-së. Sikur të mos mjaftonin shkurtimet e mesvitit, Ministria e Mbrojtjes u tregua e paaftë të realizojë edhe buxhetin e mbetur. Në fund, shpenzimet e kësaj ministrie për vitin 2010 qenë 13.3 miliardë lekë ose vetëm 1.08 për qind e PBB-së.

Shqipërisë iu vu si objektiv nga NATO në vitin 2005 rritja e buxhetit të mbrojtjes gradualisht deri sa të arrinin 2 për qind të PBB-së, që është edhe minimumi i lejuar për vendet anëtare. Sugjerimi ishte që shpenzimet e mbrojtjes të rriteshin gradualisht me 0.1 për qind të PBB-së në vit deri sa të arrihej kuota. Por në vitin 2006, qeveria shqiptare vendosi në mënyrë të njëanshme të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, duke e zbatuar këtë kriter para anëtarësimit.

Vendimi i qeverisë u prit pa shumë entuziazëm në NATO për shkak se ishte artificial. Në atë kohë, buxheti i qeverisë për mbrojtjen ishte vetëm 1 për qind e PBB-së dhe dyfishimi i shpenzimeve qe vështirë të absorbohej, qoftë si barrë për buxhetin e shtetit, ashtu edhe nga vetë Ministria e Mbrojtjes.

Nuk vonoi shumë dhe u pa se rritja e buxhetit nuk ishte një vendim lehtësisht i zbatueshëm në terren. Në vitin 2007, kur qeveria programoi për herë të parë shpenzime të larta për mbrojtjen, në qendrën e rekrutimit në Bunavi të Vlorës, rekrutët e rinj u filmuan duke bërë stërvitje me shapka dhe atlete.
 
Qeveria vijoi t’i mbetet besnike premtimit të saj gjatë hartimit të buxheteve të viteve pasardhëse sa i përket akordimit të fondeve për mbrojtjen, por këto mbetën thjesht premtime e nuk u bënë asnjëherë realitet. Përkundrazi, shpenzimet e buxhetit për mbrojtjen në raport me PBB-në, shënuan një minimum historik në vitin 2009 në vetëm 1.02 për qind të PBB-së.
 
Shqipëria u prania në NATO në vitin 2009 së bashku me Kroacinë. Ushtrisë shqiptare iu dha detyra të kryejë tranzicionin nga sistemi i ushtrisë me rekrutë në ushtri tërësisht profesionale me forca vullnetare përkundrejt pagesës.

Dy projekte modernizimi janë ndërmarrë gjatë kësaj kohe: Blerja e anijeve të patrullimit nga Holanda, të cilat do të kenë funksionin e kontrollit të hapësirës detare, si dhe blerja e helikopterëve nga Franca. Blerja e helikopterëve me vlerë rreth 100 milionë euro, u shty për një vit, për shkak se qeveria shqiptare hyri në vështirësi financiare.

Shqipëria e shkurtoi personelin ushtarak nga 100 mijë vetë që e kishte në kohën e komunizmit në 12-15 mijë vetë që duhet të jetë sipas standardeve të NATO-s. Detyra e tanishme është që ushtria të transformohet nga një forcë stacionare mbrojtjeje në një forcë të lëvizshme.

Top Channel