Tunizia ndalon burkën nëpër universitete

09/10/2011 19:00

Pak muaj pas rrëzimit të presidentit, Ben Ali, në Tunizi rikthehen trazirat. Qindra persona janë përleshur me forcat e sigurisë, pas vendimit të autoriteteve për të ndaluar burkën nëpër institucionet arsimore.

Protestuesit kërkojnë heqjen e vendimit të marrë nga Ministri i Arsimit i cili vendosi ndalimin e burkës nëpër universitetet e vendit në fillim të këtij viti akademik.

Grupet protestuese i përkasin kryesisht lëvizjes islamike salafite. Ata goditën policinë me shkopa, gurë e sende të tjera të forta, ndërkohë që forcat e rendit iu kundërpërgjigjen me gazlotsjellës për shpërndarjen e turmave.

Përleshjet më të mëdha u regjistruan përballë universitetit të Susses, qytet rreth 150 kilometra në jug të kryeqytetit Tuniz. Manifestime, por jo në përmasa të mëdha dhe pa incidente thelbësore pati edhe në disa qytete kryesore të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin Tuniz.  

Top Channel