Libi, ofensivë e re ndaj Sirtes

08/10/2011 15:15

Trupat qeveritare libiane kanë nisur një sulm të ri mbi qytetin e Sirtes, i fundit që kontrollohet ende nga besnikët e ish-diktarorit Muammar Gaddafi.

Prej më shumë se dy ditësh pozicionet e trupave të fundit të regjimit e gjejnë veten nën zjarrin e rëndë të artilerisë dhe predhave me tanke, ndërsa tashmë beteja është zhvendosur në rrugët e qytetit.

Të paktën 12 persona mbetën të vrarë dhe 190 të tjerë u raportuan të plagosur, gjatë luftimeve të ditës së premte. Shumica e banorëve të Sirtes kanë arritur të largohen nga qytetit, por me dhjetëra mijëra të tjerë ndodhen në zonën e konflikteve, në një situatë kritike humanitare.

Forcat e Qeverisë së Përkohshme në Libi morrën kontrollin pothuajse mbi të gjithë vendin dy muaj më parë, duke detyruar Gaddafi-n që të arratisej për në një destinacion të panjohur. Megjithatë, Sirte, qyteti i tretë më i madh në vend, ka arritur të rezistojë deri më sot.

Sipas mediave ndërkombëtare, sulmi i nisur ndaj Sirtes është ai që duhet t’i japë përfundimisht fund pas disa muajsh konfliktit sirian. Gjatë javës, Gaddafi bëri thirrje për një kryengritje masive ndaj regjimit të ri, i cili sipas tij është ai që po i mohon popullit liritë thelbësore.

Top Channel