Censusi, AK: Qytetarët po zbatojnë vendimin e Kushtetueses

08/10/2011 00:00

Aleanca Kuqezi denoncon dështimin e procesit të regjistrimit të
popullsisë. Përfaqësuesit e Aleancës theksojnë se pyetjet në formularë
për etninë dhe fenë janë në interes të Athinës.

“40 perqind e shqiptarëve i kanë thënë ‘jo’ etnisë dhe fesë. Qytetarët shqiptarë zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thanë përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi.

Sipas tyre censusi nuk është transparent, ndërsa ngrenë akuza ndaj shtetit për përdorimin e 13 milionë eurove për interesat e Greqisë.

Aleanca Kuqezi deklaroi pak dite me pare se ka prova dhe fakte të abuzimeve gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Aleanca bën me dije se po ndjek me shqetësim të thellë procesin e regjistrimit dhe përmend rastin e plotësimit të formularëve në fshatin Shëngjergj  të Korcës, ku banorët me emra myslimanë po vetëdeklarohen me kombësi Greke.

Po ashtu Aleanca thekson se ka të dhëna se shumë anketues po përdorin lapsin në plotësimin e formularit duke lënë hapësira për abuzim dhe ndryshime të të dhënave.

“Shumë qytetarë po fotokopjojnë formularin e regjistrimit për ta përdorur si dokument në Konsullatën Greke. Përfaqësues të Ambasadës Maqedonase u kanë kërkuar qytetarëve në zonën e Gollobordës të deklarohen me kombësi maqedonase. Gjithashtu, kanë kërkuar përzgjedhjen e disa regjistruesve në këto zona. Me mijëra militantë partiak janë kontraktuar si regjistrues duke kontrolluar politikisht këtë proces e duke u shpërblyer me mundësi punësimi nga ana tjetër. Shumë prej të punësuarëve si anketues nuk kanë kualifikimin e duhur arsimor për të qenë pjesë e këtij procesi, sipas parametrave të  kërkuar nga BE”, thuhet në deklaratë.

Aleanca thekson se regjistrimi është një proces antikushtetues dhe i pambështetur në asnjë dispozitë të legjislacionit shqiptar.

 

Top Channel