Top Story, letra e Withers. “Kabllogramët nuk gënjejnë”

06/10/2011 00:00

Një ditë pas publikimit të letrës së ish-Ambasadorit Amerikan në Tiranë, John Withers, ish-ambasadorë dhe opinionistë të medias komentuan qëndrimin e tij dhe shtetit që ai përfaqëson në “Top Story”, emisionin e drejtuar nga Sokol Balla.

Publikimi i kabllogramëve nga “Wikileaks”, në të cilat kritikohej rëndë aktiviteti i qeverisë, i kryeministrit Berisha, sidomos për qëndrimin e tij ndaj çështjes së Gërdecit, Prokurorisë dhe sulmit ndaj mediave apo korrupsioni i zyrtarëve të lartë, solli një tronditje të madhe në vend.

Megjithatë, sipas fjalëve të vetë “Withers”, ishte bërë e domosdoshme që ai të shkruante këtë letër, në mënyrë që të sqaronte si duhej dhe pa keqkuptime të gjitha sugjerimet që ai i drejtonte Departamentit të shtetit.

Lisen Bashkurti: “Letër shumë e qartë, i hap sytë publikut”
Duke komentuar veprimin e Withers, ish-ambasador dhe drejtues i Akademisë së Diplomacisë, shprehet: “Përmbajtja e letrës, misioni që ka, është me të vërtetë e paprecedent, por shumë e qartë dhe e kthjellët. Është një letër miqësore, dashamirase. Pas kabllogrameve, duhet të na bëjë të reflektojë të gjithëve. Ajo që duhet të kuptojmë është fakti që Withers është një përfaqësues i një diplomacie që besoj pas çështje “Wikileaks”, ka treguar se funksionon më mirë se të gjitha dilplomacitë e tjera në botë. Kabllogramët nuk duhet të vendosen në dyshim. Qëndrimi i tij është unik, duke patur parasysh që Zonja Klinton dhe Departamenti i Shtetit janë shprehur prej kohësh se nuk bëjnë komente mbi kabllogramet. Mendoj se letra e tij u bë e detyrueshme nga mënyra se si u interpretua nga politika, që e subjektivizoi kabllogramin, duke e shpallur të dyshimtë, të njëanshëm dhe të personalizuar”.

Shpëtim Nazarko: Pas 21 janarit, amerikanët nuk mund të heshtnin
”Pas asaj që ndodhi në 21 janar, amerikanët nuk mund të vazhdonin të mbështesnin pa kushte qeverinë. Nëse do t’a bënin këtë, do të dobësonin pozitat e tyre të privilegjuara në Shqipëri, diçka që ata nuk mund t’a bëjnë për hir të një Kryeministri që ikën dhe vjen”, janë fjalët e opinionistit Shpëtim Nazarko, pjesë e panelit të “Top Story”. “Ju garantoj që për amerikanët, ato kabllograme janë një siklet i madh. Shqipëria është një aleat i besuar i tyre, por kjo nuk do të thotë që mund të heshtin dhe të mbyllin sytë kur këtu shkelet demokracia dhe zhvillohet një korrupsion në nivele tronditëse. Fare mirë, Withers mund të mos fliste fare dhe qëndrimin e tij e mbronte Ambasada Amerikane në Tiranë. Qëndrimi i tij është unik dhe është qëndrimi i një diplomati karriere, jo një ambasadori çfarëdo. Amerikanët, me 21 janarin dhe me zgjedhjet lokale kanë humbur pikë me qëndrimin e tyre deri diku tolerues. Kabllogramet tregojnë ama se pas kuintave, diplomacia e tyre nuk e përkrah dhe vazhdon manovrat e saj. Kjo bën të qartë që amerikanët nuk kanë asnjë dashuri për ndonjë politikan të veçantë dhe letra e Ëithers ka vetëm një mesazh të madh, kabllogramet nuk gënjejnë”.

Tarifa: Ambasadori i SHBA, figurë integrale

Fatos Tarifa, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, është shprehur se letra e Withers ka ardhur si një reagim “ndaj të gjitha kabllogrameve të bëra publike për të treguar se ka një fizionomi diplomacia amerikane”.

“Mendoj se Withers e ka parë të arsyeshme të reagojë me këtë letër ndaj të gjitha kabllogrameve të bëra publike për të treguar se diplomacia amerikane ka një fizionomi dhe ambasadori amerikan ka një figurë integrale. Cdo gjë e thotë në emër të presidentit të SHBA”, u shpreh Tarifa në emisionin Top Story.

“Ai me këtë letër tregon se nuk mund të jetë subjektiv në raportimet e tij tek qeveria e tij”, shtoi Tarifa.

“Kabllogramet, qendrimi i SHBA”

Analistë e ish-diplomatë të ftuar në panelin e Top Story në Top Channel, vijuan analizën e tyre në lidhje me ndikimet që patën në publikun shqiptar publikimi i kabllogrameve, e sidomos letra e ish-ambasadorit John Withers, publikuar të mërkurën në Top Channel, ku konfirmohej gjithcka e zbardhur nga Wikileaks.

Për ish-ambasadorin, Fatos Tarifa, nga kabllogramet shqiptarët nuk mësuan asgjë të re, asgjë që ata nuk e dinin. Risia sipas tij, qendron tek letra e Withers, që saktëson se kabllogramet nuk janë një qendrim personal i ish-ambasadorit amerikan, por një qendrim i diplomacisë amerikane për ngjarjet dhe spektrin politik në Shqipëri.

Analisti, Lisen Bashkurti, në vijim të fjalës së tij, tha se kabllogramet janë të vërteta dhe se pasojat e moskonsiderimit serioz të përmbajtjes së tyre do të ketë pasoja për vetë politikën.

Ish-ambasadori William Reyerson: Hendeku ekonomik dhe kriza, shqetësuese

Top Story solli një intervistë të ambasadorit të parë amerikan pas rivendosjes së marrëdhënieve, 20 vjet më parë, William E. Reyerson, dhënë për Zërin e Amerikës.

Ish-ambasadori Reyerson vlerëson zhvillimin e bërë nga Shqipëria, por thekson që problem mbetet hendeku i madh tek të ardhurat e njerëzve dhe klima politike. Megjithatë ai u mundua t’i minimizojë dy problemet duke thënë se edhe në SHBA ekzistojnë të tilla probleme.

Reyerson vlerëson fort edhe punën e ambasadorit Arvizu, që sipas tij po përfaqëson denjësisht politikën e SHBA-së duke i thënë gjërat hapur.

“Pakti opozitës do t’i japë fund stanjacioni politik”

Pakti i opozitës dhe propozimi për dialog me mazhorancën për gjetjen e një gjuhe të përbashkët për reformat që ka nevojë vendi drejt rrugës për integrimin në BE, ishte tematika e pjesës së tretë të Top Story-t.

Për analistin dhe ish-ambasadorin, Lisen Bashkurti, propozimi opozitës do të nxjerrë vendin nga stanjacioni politik, sic tha ai. Për të tashmë ka vetëm dy mundësi, ose konsensus mes palëve, ose konflikt më të thellë politik.

“Mendoj që jemi përballë një alternative të komplikuar që do të pasojë ose konsensus, ose konflikt politik. Stanjacion politik nuk do të ketë më. Ose do të shkojmë drejt konsensusit ose drejt konfliktit politik. Konsensusi nuk blihet, ai meritohet, dhe mazhoranca nuk e meriton deri më tani atë. Mazhoranca ka përgjegjësinë historike për të bërë leshimët e nevojshme për të arritur konsensus”, tha Bashkurti.

Ndërkohë, ish-ambasadori tjetër i ftuar në studio, Fatos Tarifa, hoqi një paralele mes krizës politike në Shqipëri dhe asaj të para pak muajve në Belgjikë. Sipas tij, në Belgjikë, pavarësisht se vendi mbeti për qindra ditë pa qeveri, ambasadorët e huaj nuk ndërhynë. E njëjta praktikë duhet të ndiqet edhe në Shqipëri, tha Tarifa duke shtuar se politika shqiptare duhet të mësojë të dalë vetë nga qorrsokaket ku fut veten, pa kërkuar ndihmën e ambasadorëve të huaj.

Top Channel