Anti-amerikanizmi i domosdoshëm

28/09/2011 00:00

Artan Lame – Në dhjetor 1945, u zhvilluan në Shqipëri të parat
dhe të fundit zgjedhje, ku ende mund të votohej në kohë të Komunizmit.
Komunistët morën 97% të votave. Në këtë pikë, Enver Hoxha nuk merrej me
këta 97% që e mbështesnin, por e kish hallin te ata 3% që e votuan
kundër. Pas kësaj, për 40 vjetët vijues, votimet dolën 99,9999%.

Nuk di pse dreqin më erdhi në mëndje ky shembull, teksa Ambasadori Amerikan nuk merakosej për 96% të shqiptarëve që janë pro-amerikanë, por për ata 4% që janë (jo-domosdoshmërisht) anti-amerikanë.

Pro-amerikanizmi i shqiptarëve është goxha i vjetër në kohë dhe kjo vjetërsi është garancia më e madhe që kjo ndjenjë të mos jetë nga ato dashuritë që shkojnë e vijnë me një të fryrë ere. Ndoshta kjo është dashuri e njëanshme, pasi nuk besoj se edhe amerikanët janë pro-shqiptarë, qoftë edhe për arsyen e thjeshtë që besoj se më të shumtit e tyre as që e kanë idenë se ku bie Shqipëria; por sidoqoftë edhe kështu dashuri është. Imzot Noli një herë kur mbante një konferencë për Shqipërinë në Detroit, mbeti keq kur një zonjë amerikane e pyeti se ku binte Shqipëria. Në anë të Adriatikut zonjë, ju përgjigj me respekt. – Po Adriatiku ku është, vazhdoi zonja. Në anë të Ballkanit, zonjë. – Po Ballkani. Këtu Noli me durim ia ktheu: Ballkani është gadishull i Evropës, e cila është në njërën anë të Atllantikut, i cili në anën tjetër ka Amerikën, të cilën besoj se e dini se ku bie.

Nejse. Si çdo dashuri e gjatë, edhe kjo e jona me Amerikën duhet të ketë ulje-ngritjet e saj, duhet të ketë luhatjet e saj, se vetëm qeni dashuron pa kushte dhe gjithë jetën njësoj, ndërsa robi ndërron mëndje kohë pas kohe. Nëse qoftë sot e qoftë në çdo kohë tjetër, ka patur e ka midis shqiptarëve edhe njerëz, grupe a shtresa të qytetëruara, që janë a ndjehen jo pro-amerikanë, a më keq edhe antiamerikanë, kjo vetëm se i bën nder dinjitetit tonë dhe dinjitetit amerikan.

Thashë që pro-amerikanizmi shqiptar është i vjetër dhe e thashë këtë jo se duket si frazë e bukur, por se është vërtet i tillë. Mjafton të kujtojmë Naim Frashërin, një intelektual i mirëfilltë oriental, që këndonte në gjuhë të shqiptarëve “Dielli lind atje ku perëndon”. Në kohë të Naim beut, shqiptarët e parë kishin filluar të zbulonin Amerikën e emigracionit, të punës e të jetës së vrullshme dhe kur ktheheshin mbrapsht në vendin e tyre, mundoheshin t’ua shpjegonin ndenjësve atë që kishin parë atje larg. Shqiptarët e thjeshtë janë popull që pragmatizmin e kanë fe kombëtare dhe tek Amerika pragmatiste dhe e zhveshur nga lajlelulet e perandorive e mbretërive evropiane, ata shihnin ëndrrën e tyre tokësore.

Ndoshta Amerika nuk ka ndonjë rol të mirëfilltë në lindjen e shtetit shqiptar, por ka një rol të padiskutueshëm në mbijetesën e këtij shteti në momentin më të vështirë të tij, në atë të Konferencës së Paqes më 1919. Nëse lindja e shtetit shqiptar është meritë e një prej perandorive që po shuheshin, asaj Austro-Hungareze, mbijetesa e këtij filizi është merita e Perandorisë që po lindëte, asaj Amerikane. Këtë gjë për të cilën historianët mund të mbushin libra e akademikët studime, mjaftojnë dy vargje të Fan Nolit për ta skalisur:

“Mbahu nëno mos ki frikë,

Se ke djemtë në Amerikë”.

Më duket e kotë të vazhdoj pas këtyre dy vargjeve, por s’kam ç’i bëj, duhet shkuar më tej.

Roli amerikan në periudhën midis dy Luftërave Botërore ndoshta nuk është edhe aq politik sesa ekonomik. Djersa e mijëra emigrantëve shqiptarë e shndërruar në dollarë dhe floriri amerikan, shërbeu për të mbijetuar po aq familje të varfra në Shqipërinë që po përpiqej të ngrihej. Letërsia, fryma qytetëruese, veshjet, moda e të tjera si këto, ishin një tjetër element që vinte nga përtej oqeanit bashkë me kurbetllinjtë. Që të mos e zgjat, edhe Lufta e Dytë Botërore na rreshtoi të paktën si popull përkrah amerikanëve. Populli i thjeshtë u rreshtua për arsye utilitare, masa e madhe e emigrantëve të atjeshëm, paratë, bindja instiktive tek fuqia e madhe; ndërsa elita intelektuale ishte pro-amerikane edhe për bindje të ndërgjegjshme ndaj fuqisë së lirisë.

Ndarja e vetme e madhe me Amerikën ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, por për atë periudhë kushdo është i vetëdijshëm se gjërat nuk vareshin thjesht nga ne, por ishin në peshore pazare e faktorë ku e ku më të mëdhenj. Madje edhe antiamerikanizmi komunist mbart dinjitet brenda. Nëse Shqipëria komuniste arrinte të mbijetonte, duke luftuar bandat e diversantëve të armatosura e stërvitura nga amerikanët, kjo u bën nder të dyja palëve. Nëse Shqipëria ia dilte të zinte rob pilotë e avionë amerikanë, edhe kjo u bën nder e u jep dinjitet të dyja vendeve. Secili mbronte bindjet e veta, duke sakrifikuar edhe jetë për to. Ashtu si Varrezat e Normandisë, ku flenë bashkë nën flamurët përkatës, të rënët gjermanë me ata amerikanë, u bën nder të dyja palëve dhe i jep edhe më tepër dinjitet e seriozitet miqësisë së sotme.

Madje edhe anti-amerikanizmi komunist, e vuante një lloj fetishi ndaj amerikanëve. Tani vonë është zbuluar (ambasadori duhet ta dijë) se trualli ku është ngritur Ambasada Amerikane që në vitin 1923, megjithëse u zu nga Komunistët pas Lufte dhe ju dha italianëve për ambasadë, nuk u shtetëzua asnjëherë. Italia u paguante shqiptarëve qeranë dhe shqiptarët fshehurazi për 40 vjet u jepnin qeranë amerikanëve, përmes atyre kanaleve të fshehta e misterioze që nuk shkëputen asnjëherë.

Ndoshta i vetmi çast kur pro-amerikanizmi shqiptar u bë grotesk, është momenti i ritakimit të dashnorëve pas ndarjes së gjatë, në vitin 1991. Ajo që shqiptarët bënë atë ditë në Sheshin Skënderbej në këmbët e Bejkerit, që qëndronte nën këmbët e kalit të Skënderbeut, shqipove jo e jo që nuk u bënte nder, por besoj se as Bejkeri nuk do të jetë ndjerë mirë. E megjithatë, prapë Amerika na ndenji në krah, jo për sytë e bukur, por për interesa natyrisht. Por edhe fakti që kishim interesa të njëjta, na bën prapë nder. Se edhe dashnorët që janë dashnorë, vërtet rrinë bashkë për sytë e bukur, por prapë mendjen e kanë se kur do shkojnë në krevat.

Ne shqiptarët, kur jemi pijshëm, këtej e andej kufirit, themi se e çliruam vetë Kosovën në vitin 1999. Pastaj, kur na del pija e bëhemi esëll, natyrisht që ia njohim meritën atij që e ka vërtet, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithëse ndërhyrja e tyre ishte e përbashkët me evropianët, prapë pa vendosmërinë amerikane, Evropa kushedi se ç’zgjidhje gjithë të përdredhura do kish gjetur.

Pastaj erdhi Pavarësia e Kosovës, pastaj Shqipëria në NATO, misionet tona përkrah amerikanëve në Afganistan e Irak, e pastaj erdhi edhe dita ku jemi, ku shqiptarët shprehen 96% pro-amerikanë. Nuk ka asnjë shans që shqiptarët në masë të bëhen anti-amerikanë, sepse ata dinë t’i njohin borxhet dhe jemi në borxh me Amerikën; sepse Amerika është e fortë dhe shqiptarët e respektojnë forcën; sepse Amerika ka kultin e parasë dhe shqiptarëve tashmë u ka mbetur vetëm kulti i parasë për të matur botën; sepse Amerika është perandori dhe shqiptarët kanë dymijë vjet që notojnë nëpër perandorira.

Historianët thonë se ndryshimi midis Perandorisë Britanike dhe Perandorisë Amerikane, qëndron në faktin që britanikët mjaftoheshin që bota t’i kish frikë, ndërsa amerikanët duan që bota t’i dojë. Ambasadori, si amerikan, vuan edhe ai sëmundjen e Amerikës, do që ta duam. Personalisht bëj pjesë tek pro-amerikanët e vendosur dhe nuk kam nguruar të hyj edhe në debate për këtë temë. Por ama, ditën që të gjithë shqiptarët, pra edhe ata 4% që shqetësojnë Ambasadorin, do jenë bërë pro-amerikanë, atëherë po që duhet të jemi të shqetësuar. Ajo do jetë dita kur, ose Amerika do jenë bërë diktaturë, se vetëm diktaturat njohin vetëm 100%; ose ne do jemi bërë fare sahanlëpirës dhe në këtë rast nuk do t’i duhemi më as Amerikës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel