Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (International Democracy Union – IDU) ka miratuar rezolutën e 8-të për Shqipërinë, duke reflektuar denoncimet e PD mbi zhvillimet demokratike, proceset zgjedhore, funksionimin e shtetit të së drejtës në vend dhe ecurinë e procesit të integrimit europian.
Sipas njoftimit të PD, dokumenti i referohet vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare, duke e klasifikuar Shqipërinë si “autokraci elektorale” dhe duke theksuar përkeqësimin e perceptimit për korrupsionin.
Sipas rezolutës, korrupsioni sistemik dhe mungesa e llogaridhënies në nivelet e larta të qeverisjes përbëjnë pengesë serioze për avancimin drejt Bashkimit Europian.
Sipas IDU procesi i integrimit është ngadalësuar ndjeshëm, “për shkak të kapjes së shtetit, ndërhyrje politike në institucionet e drejtësisë dhe lidhje të dyshuara mes zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”.
Po ashtu, ngrihet shqetësimi për mungesën e ndjekjes efektive penale ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe për abuzimet në prokurimet publike.
Në aspektin e sigurisë, rezoluta paralajmëron për rritjen e ekspozimit të vendit ndaj ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga aktorë si Rusia dhe Kina, si dhe për rreziqet që lidhen me ndërhyrjet hibride, kërcënimet kibernetike dhe cenimin e sistemeve shtetërore.
Sa i përket zgjedhjeve, dokumenti konstaton se proceset elektorale nuk kanë përmbushur standardet ndërkombëtare, duke evidentuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj votuesve dhe përfshirjen e elementëve kriminalë. Në këtë kuadër, bëhet thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Rezoluta ndalet edhe tek sistemi i drejtësisë, ku evidentohen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin e çështjeve dhe problematika që lidhen me atë që cilësohet si drejtësi selektive dhe ndjekje penale me motive politike ndaj figurave të opozitës.
IDU thotë se progresi drejt Bashkimit Europian mbetet i kushtëzuar nga garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pluralizmit politik, duke i bërë thirrje autoriteteve shqiptare të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës institucionale.
Ndërkohë Sali Berisha, deklaroi në forumin e IDU se Shqipëria ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm të standardeve demokratike dhe të shtetit të së drejtës që nga takimi i fundit i kësaj organizate.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se për herë të parë Parlamenti refuzoi të heqë imunitetin e zëvendëskryeministres, pavarësisht kërkesës së përsëritur të prokurorisë speciale.
Sipas tij, ky vendim erdhi pas një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të kryeministrit, duke injoruar edhe thirrjet e Komisioni Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian për respektimin e shtetit të së drejtës.
Top Channel