Nafta, firmat e huaja rinisin punën në Libi

26/09/2011 16:30

Firma italiane e naftës, “Eni” ka rinisur punën në një fushë nafte në Libi, pasi kundërshtarët e kolonelit Muammar Gaddafi forcuan kontrollin e tyre mbi ekonominë.

“Eni”, që ka qenë prodhuesi më i madh i huaj i naftës në Libi para rrëzimit të kolonelit Muammar Gaddafi, tha se planifikonte të hapte edhe fusha të tjera në ditët e ardhshme.

Edhe firma të tjera, mes të cilave francezja “Total”, kanë rinisur gjithashtu operacionet e tyre.

Ndërkohë, forcat anti-Gaddafi po avancojnë në vendlindjen e tij, Sirte, një nga bastionet e mbetura. Ushtarët besnikë të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit ndërmorën një sulm surprizë në fundjavë.

I dërguari i BBC në Sirte thotë se trupat kanë rrethuar qytetin dhe po bëhen gati për t’u futur në të me forcë.

Ndërsa besnikët e Gaddafi-t kanë bërë një rezistencë të ashpër duke mbrojtur qytetin nga avancimi i KKT-së në javët e fundit.

“Eni” tha në një deklaratë se ka filluar punimet në 15 puse në fushën e naftës Abu Atifel, rreth 300 kilometra në jug të Bengazit.

Kompania thotë se po prodhon 31.900 fuci nafte në ditë, krahasuar me sasinë prej 70 mijë fucish në ditë para fillimit të protestave.

Puset e naftës u mbyllën në mars për shkak të rritjes së dhunës në përleshjet mes besnikëve të Gaddafi-t dhe rebelëve, që më vonë formuan KKT-në.

Ndërsa francezja “Total” njoftoi javën e kaluar se ka rifilluar prodhimin e saj në Al Jurf, që është në gjendje të prodhojë 40 mijë fuci në ditë.

Edhe kompania shtetërore libiane, “Arabian Gulf Oil”, njftoi më herët gjatë muajit nxjerrjen e 160 mijë barrileve nga fushat e naftës në lindje të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA