METE, negociata për të tjera projekte

22/09/2011 08:50

Sektori energjetik në vendin tonë ka tërhequr me qindra investitorë të huaj dhe vendas, pasi ndërtimi dhe shfrytëzimi i HEC-eve konsiderohet një biznes fitimprurës.

Fakti që shfrytëzohet vetëm 40 përqind e burimeve ujore për HEC-et, do të thotë se vendi ofron potenciale të mëdha. Për këtë shkak austriakët e kanë vlerësuar tregun shqiptar si mundësi për të rritur investimet.

Ministria e Ekonomisë bën të ditur se kryesisht janë kompani italiane, por së fundmi kompanitë austriake kanë rritur interesin.

Matilda Merxhani, drejtore e përgjithshme e projekteve në Ministrinë e Ekonomisë, thotë se, deri më sot, vlera totale e investimit për 100 kontratat koncesionare që janë lidhur pas vitit 2006, arrin në rreth 260 miliardë lekë, ndërsa për të 14 HEC-et vendore që përfundojnë brenda këtij viti, vlera e investimit arrin në 6.9 miliardë lekë.

Në projektet koncesionare që po zbatohen nga investitorë të huaj, investimet arrijnë në rreth 200 miliardë lekë.

Në total, vlera e investimit i tejkalon shumat e 470 miliardë lekëve vetëm në sektorin e HEC-eve, pasi në rast se nis zbatimin projekti i Tec-it me qymyr në Porto Romano, shifra rritet me gati 30 për qind.

Merxhani sqaron se, në sektorin prodhues të energjisë janë të instaluar rreth 1.3 milionë megavat dhe prodhim energjie në rreth 5 miliardë kilovat.

Shifrat u bënë të ditura në konferencën e zhvilluar dje, organizuar nga “International Bussines Agency” (IBA) dhe grupi austriak “Global HidroEnergy”, të cilat paraqitën në seminarin “Zhvillimi i projekteve hidroenergjetike në Shqipëri” të rejat më të përparuara të teknologjisë bashkëkohore që përdoret në tregun botëror me standardet më të larta për HEC-et.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA