Liderët e NATO-s, sot në Libi

15/09/2011 08:50

Liderët e vendeve të NATO-s, mes të cilëve edhe presidenti francez Nicolas Sarkozy, pritet të mbërrijnë të enjten në Libi për bisedimet e para që nga rënia e kolonelit Muammar Gaddafi.

Ata do të takohen me kreun e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit dhe figura të tjera të rëndësishme anti-Gaddafi.

Kreu i KKT-së, Mustafa Abdul Jalil ka deklaruar se liderët do të jenë të sigurtë gjatë vizitës së tyre në Tripoli.

Ata do të vizitojnë fillimisht kryeqytetin dhe më pas bastionin e dikurshëm të rebelëve, Bengazin, ku do të mbahen fjalime në Sheshin e Lirisë.

Presidenti francez pritet të shoqërohet nga Henri Bernard Levy, filozofi që shihet nga shumë vëzhgues si katalizatori i vendimit të Sarkozy për të nisur operacionet ushtarake në Libi.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka dërguar në Këshillin e Sigurimit një projekt/rezolutë që do të lehtësonte sanksionet e OKB-së ndaj Libisë.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara deklarojnë se ndihen të inkurajuara nga rritja e kontrollit të rebelëve ndaj forcave të sigurisë në vend.

NATO ka kryer një fushatë sulmesh ajrore nën mandatin e dy rezolutave të OKB-së për të mbrojtur popullin libian nga represioni i regjimit.

Të mërkurën, zoti Jalil kërkoi furnizim me armë për të ndihmuar rebelët për të marrë nën kontroll zonat e kontrolluara nga besnikët e kolonelit Gaddafi.

Kreu i KKT tha për BBC se, lideri i rrëzuar ndodhet në jug të Libisë duke përgatitur hakmarrjen e tij.

Në një mesazh të shkruar, që i atribuohet kolonelit, i bëhet thirrje Kombeve të Bashkuara që të ndalin “krimet” kundër qytetit të tij të lindjes, Sirte.

Lideri që qeverisi vendin e tij për katër dekada ka theksuar më parë se do të preferonte të vdiste sesa të largohej nga Libia.

AI: Krime lufte në Libi

Amnesty International ka akuzuar të dyja palët në Libi për krime lufte.Në raportin e fundit, organizata thotë se shtypja e protestuesve nga ana e Muammar Gaddafi-t ka dëshmuar krim kundër njerëzimit, ndërsa arrestimet arbitrare, tortura e të burgosurve dhe rrëmbimet janë krime lufte.

Raporti thotë se zyrtarë të AI-së kanë parë trupa të vrarë të figurave opozitare, të cilat ishin qëlluar në kokë me duar të lidhura pas shpine.

Organizata thotë se ka video, që tregojnë të burgosurit teksa qëllohen për vdekje.

Raporti vë në dukje se edhe forcat kundër regjimit janë fajtore për abuzime të të drejtave të njeriut, porse në një shkallë më të vogël.

Ato kanë rrëmbyer, kanë arrestuar në mënyrë arbitrare, kanë torturuar dhe vrarë besnikët e Gadafit dhe shtetasit e huaj, të dyshuar gabimisht për mercenarë, thuhet në raport.

Amnesty International i bën thirrje Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të hetojë abuzimet e të dyja palëve dhe t’i vërë të drejtat e njeriut në krye të agjendës së tij.

 

Top Channel