“Islamizmi i moderuar” do qeverisë Libinë

13/09/2011 18:25

Kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit ka bërë fjalimin e tij të parë në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, që nga rënia nga pushteti e kolonelit Muammar Gaddafi.

Përpara mijëra mbështetësve të mbledhur në Sheshin e Martirëve, Mustafa Abdul Jalil nënvizoi planet e tij për të krijuar një shtet modern dhe demokratik, të bazuar tek “islamizmi i moderuar”.

Më herët, lideri në arrati Muammar Gaddafi bëri thirrje në një mesazh televiziv për “luftë deri në fitore”.

“Ajo që na ka mbetur është të luftojmë deri në fitore dhe në mposhtjen e grushtit të shtetit”, ka deklaruar koloneli, vendndodhja e të cilit mbetet mister.

Megjithatë, edhe pse administrata e përkohshme ka premtuar formimin e një qeverie tranzitore në Libi brenda 10 ditëve të ardhshme, vendi ka ende shumë sfida që lidhen me stabilitetin e tij.

Forcat anti-Gaddafi tani kontrollojnë pjesën më të madhe të Libisë, por besnikët mbajnë ende qytetet Sirte dhe Bani Ualid, duke bërë një rezistencë më të ashpër nga sa parashikohej.

Ndërkohë, Amnesty International i ka bërë thirrje KKT-së që të ndërmarrë hapa për të parandaluar abuzimet me të drejtat e njëriut që po bëhen nga forcat anti-Gaddafi.

Në fjalimin e tij të parë Jalil u tha rreth 10 mijë mbështetësve të tij që të shmangin sulmet ndëshkuese, duke nënvizuar se liderët e rinj të Libisë nuk do të pranojnë asnjë lloj ideologjie ekstremiste.

“Ne jemi një komb mysliman, me një islamizëm të moderuar dhe ne do të vazhdojmë ta ruajmë këtë traditë. Ju jeni me ne dhe na mbështesni, ju jeni arma jonë kundër kujtdo që përpiqet të devijojë revolucionin”, tha Jalil.

Top Channel