Vlorë, flasin familjarët e gjyqtarit

11/09/2011 20:40

Gazetari Arjan Konomi, i afërmi i gjyqtarit të vrarë u shpreh për mediat se kushëriri i tij mund të jetë vrarë për dy arsye, atë për shkak të trashëgimisë së madhe të pronave dhe të profesionit.

Por Konomi i mëshon më tepër arsyes së parë duke u shprehur se nuk rezulton që i afërmi i tij të ketë dhënë vendime të padrejta.

“Dy arsye, për shkak të detyrës apo të pronave duke qenë se Skerdilajdi ishte trashëgimtar i madh pronash qoftë në Vlorë qoftë në bregdetin e Durrësit. Ai jetonte si një qytetar i thjeshtë. Vrasja ishte një sinjal për sistemin gjyqësor”, tha gazetari Konomi.

Gazetari u shpreh se mënyra ekzekutimit është barbare dhe ka patur si qëllim që krimi i organizuar t’i thotë drejtësisë se mund të fitojë edhe mbi të.

Sipas të afërmit, gjyqtari nuk kishte kërcenime, por ai kishte fituar një gjyq për një sipërfaqe të madhe toke në kohët e fundit.

“Nuk kishte kërcënime. Di që ka patur një gjyq shumë të madh që e ka fituar në Gjykatën e Lartë para disa javësh”, thotë Arjan Konomi, i afërm i gjyqtarit të vrarë ditën e premte, Skerdilajd Konomi.

Top Channel