Me rastin e 10 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, liderë të institucioneve të Kosovës kanë adresuar mesazhe në mbështetje të popullit amerikan.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në mesazhin e saj shkruan se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëheqja dhe qytetarët e saj, si gjithnjë në histori, e mundën edhe këtë tragjedi të madhe duke treguar forcën dhe madhështinë e tyre. Duke luftuar terrorizmin, si një të keqe shumë të madhe dhe një rrezik permanent për botën, ato treguan se e ardhmja e njerëzimit është demokracia dhe përparimi”, thuhet në kumtesën e zyres së Presidentes.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se “sulmet terroriste të 11 shtatorit ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan, disa nga institucionet e saj dhe mbarë botën demokratike”. Në vijim të mesazhit të kryeministrit thuhet se “dhjetë vjet më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përjetuar rëndë sulmet terroriste mbi një vend mik, që kishte dhënë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit tonë”.

Në anën tjetër, në përkujtim të dhjetë vjetorit të 11 shtatorit, Ministria e Jashtme e Kosovës në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të mbijetuarit e këtij sulmi do të organizojë gjatë së dieles në mbrëmje ndezjen e qirinjëve, në qendër të Prishtinës.

Top Channel