Dhjetëra makina janë bllokuar në vendkalimin kufitar 31 në veri prej bashkësisë së ekonomistëve serbë të Zubin Potokut.

Protestuesit serbë kanë përsëritur se në veri nuk janë të nevojshme doganat e Prishtinës.

Një ditë më parë dhjetëra punëtorë të Kompanisë Energjetike “Elektrokosmet” nga veriu i Mitrovicës kanë protestuar të premten ne uren mbi lumin Ibër kundër shtrirjes së pushtetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.

Ndërkohë edhe sekretari i Ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, në një intervistë ekskluzive për TCH paralajmëron kryeministrin kosovar Hashim Thaçi që të mos marrë më vendime siç ishte ai i 25 korrikut, pasi në rast se do të përsëritet një gjë e tillë, reagimi i serbëve do të jetë i njëjtë. Po ashtu, përfaqësuesit serbë në qeverinë e Kosovës, Ivanovic i quan vegël të kryeministrit kosovar.

Veriu, EULEX studion kthimin e doganierëve

Misioni EULEX po shqyrton me institucionet e Kosovës mundësitë për rivendosjen e agjentëve doganorë në pikat kufitare në veri të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i misionit evropian për rendin dhe ligjin, Nicolas Hauton.

“Bashkë me institucionet e Kosovës po punojmë për vendosjen e kontrollit normal doganor në dy pikat kufitare. Ndërsa detajet konkrete janë në shqyrtim e sipër”, ka deklaruar Hauton.

Deklaratën e tij zëdhënësi e bëri pas asaj të kryeministrit kosovar Hashim Thaci, se më 16 shtator do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së vulave me Serbinë.

Kryeministri Thaci paralajmëroi gjithashtu se në pikat kufitare 1 dhe 31 do të vendosen agjentë dhe drejtues kosovarë.

Vulat, më 16 shtator implementimi i paktit

Qeveria e Kosovës ka vendosur që më 16 shtator të nisë implementimi i marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore.

Kryeministri Hashim Thaci, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij deklaroi se, me këtë marrëveshje Serbia de jure ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga 16 shtatori do të fillojë të zbatohet marrëveshja dhe të gjithë do t’i nënshtrohen rregullave të reja që do të aplikohen”, ka deklaruar Thaci.

Marrëveshja për vulat doganore mes Serbisë dhe Kosovës u arrit në raundin e bisedimeve të dy shtatorit, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Për t’u siguruar për arritjen e një marrëveshjeje, i dërguari i Catherine Ashton, Robert Cooper zhvilloi para kësaj date vizita në Beograd dhe Prishtinë.

Bogdanovic: Ditë të vështira për serbët në veri

I ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic bëri thirrje që serbët e veriut të tregojnë unitet, sepse sipas tij, ditë të vështira po vijnë dhe ata duhet të përballen me prova të mëdha.

Bogdanovic, bën të ditur Kosovapress, ka deklaruar se Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj.

“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë ‘sa më keq, aq më mirë’ dhe se po tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.

Top Channel