Kaos në burgjet greke, 5 të dënuar humbin jetën brenda një muaji në burgun e Patrës
Wikileaks ka publikuar një seri të re të kabllogrameve të ambasadave
amerikane. Në një kabllogram të qershorit 2007, flitet për vizitën që
ministri i atëhershëm serb i Ekonomisë, Mladan Dinkic, i bëri
ambasadorit amerikan Michael Polt. Koha më e madhe e bisedimeve i është
kushtuar zhvillimeve ekonomike në Serbi dhe Kosovës.
Ambasadori amerikan i ka thënë Dinkicit se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme.
“Situata nuk është e këndshme”, është përgjigjur Dinkic, bën të ditur Telegraf.
“Qëndrimi i tij ishte se ndarja është zgjidhja më e mirë”, shkruan Polt.
Wikileaks: Tadic-Thaci, takime sekrete
Në të paktën dy raste, në kabllogramet drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit, shkruhet se kryeministri Hashim Thaci është takuar me presidentin serb Boris Tadic.
Përvec prapaskenave në politikën e brendshme që zbulon Wikileaks në dhjetëra kabllograme të publikuara, ekzistojnë dhe dy të dërguara prej ambasadës amerikane në Athinë dhe misionit amerikan në Kombet e Bashkuara.
Aty citohet presidenti Tadic të ketë folur mbi takimet e tij me Thacin.
Një kabllogram i ambasadës në Athinë i vitit 2006 shkruan se Tadic ka thënë që është takuar shkurt me Hashim Thacin përpara takimit të Internacionales Socialiste dhe se që të dy sipas tij, kishin rënë dakord që kontaktet direkte mes Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës do të ishin të dobishme.
Ndërsa në kabllogramin e misionit amerikan në OKB, i janarit të vitit 2008, thuhet se Tadic ka deklaruar që në Nju Jork kishte takuar Hashim Thacin dhe se do të takohej sërish me të, në përpjekje për të arritur një kompromis për statusin, teksa ankohej se premtimet për pavarësi i kishin bërë shqiptarët jobashkëpunues.
Ndërkohë që nëse i referohemi kabllogrameve të lobimit anti-pavarësi pas 2008-ës, gjuha e diplomacisë serbe merr të tjera nota.
Një kabllogram i vitit 2010 tregon mbi vizitën e ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremic në Austri, ku ai kërkon qartë një zgjidhje sa për të shpëtuar imazhin e Serbisë, teksa kërcënohet nga ministri i Jashtëm austriak se një konflikt mbi Kosovën do të dëmtonte aspiratat e Serbisë për në BE.
Wikileaks, Dell evitoi përplasjen ROSU-EULEX
Bazuar në kabllogramet diplomatike të publikuara nga Wikileaks, thuhet se në vitin 2009, një përplasje mes Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është evituar falë një ndërhyrjeje të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
Sipas kabllogrameve, bën të ditur Telegraf, gjendja u tensionua kur Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit (EULEX), kishte planifikuar të nënshkruante një protokoll me Serbinë, veprim që e kishte acaruar shumë kryeministrin Hashim Thaçi, i cili për këtë arsye kishte urdhëruar dërgimin e 25 pjesëtarëve të Njësisë Special në veri të vendit, për të mbrojtur të kthyerit shqiptarë në shtëpitë e veta.
Në atë kohë edhe EULEX kishte tentuar ta sfidonte Qeverinë e Kosovës, sipas kabllogrameve që tregojnë se ky mision kishte dërguar dy njësi që merren me trazira, të përbërë nga 100 pjesëtarë francezë, rumunë dhe polakë që ishin vendosur mbi lumin Ibër.
“Mirëpo, kthimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës ishte bërë pas 20 orëve gjendjeje të nxehtë me EULEX-in, me një urdhër të kryeministrit Thaçi, i cili paraprakisht kishte marrë një telefonatë nga ambasadori amerikan”, thuhet në kabllogram.
Wikileaks ka zbuluar informata interesante sa i përket raporteve Francë-Serbi në lidhje me Kosovën. Sipas informatave të fundit që janë publikuar, Franca ia ka bërë të qartë Serbisë se nuk mund të hyjë në BE pa e pranuar pavarësinë e Kosovës.
Në një letër të dërguar nga ambasada e SHBA-së në Bruksel përmendet një raport nga takimi i drejtorëve politikë të Kuintit (Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Sekretariatit të Këshillit të Evropës) që është mbajtur më 11 janar 2010, ku Serbia “ishte dekurajuar fuqishëm” në kërkesën e saj që në OKB të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së në BE, Uiliam Kenard kishte thënë se qëndrimi i Francës është po ashtu që në formularin për aplikim të Serbisë detyrimisht qëndron njohja e pavarësisë së Kosovës. Drejtori politik i Francës, Rolan Galarazh kishte thënë po ashtu se Franca nuk dëshiron një Qipro të re.
Top Channel