Presidenti serb, Boris Tadic deklaroi se Serbia është kundër imponimit
të kushteve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kërkon trajtim
të njëjtë si të vendeve të tjera që aplikojnë anëtarësimin në BE.

Ai i bëri këto komente në Forumin “Serbi-BE”, i cili po zhvillon punimet në Beograd.

“Serbinë nuk mund ta bindë askush se duhet zgjidhur çështja e Kosovës para hyrjes në Bashkimin Evropian. Megjithatë, Serbia po bën gjithçka të mundur që këtë çështje ta zgjidhë në mënyrë demokratike”, tha Tadic, në Forumin “Serbi-BE”,që po zhvillohet në Beograd.

Sipas tij, për këtë zgjidhje duhet kërkuar opsionit optimal për veriun e Kosovës, garanci për serbët në pjesë të tjera, adresimi i çështjes së trashëgimisë kulturore dhe pasuritë e Serbisë në territorin e Kosovës”.

Tadic tha se Serbia kërkon dialog konstruktiv me Prishtinën, por për hir të marrjes së statusit të kandidatit evropian, nuk do të heqë dorë nga gjetja e zgjidhjes së drejtë për Kosovën.

“Thaci, paralajmërim për dhunë”

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci, për “paralajmërim për dhunë” me deklaratat e tij se strukturat serbe në veri janë të lidhura me krimin dhe terrorizmin.

“Reagimi i Serbisë do të jetë i qetë, ndonëse institucionet e Prishtinës nuk janë imune ndaj krimit të organizuar dhe nuk mund të vendosin sundimin e ligjit në veri”, ka deklaruar Tadic.

Reagimi i presidentit serb ka ardhur pasi Thaci deklaroi sot në Kuvendin e Kosovës se, strukturat paralele serbe në veri po shndërrohen gradualisht në struktura paraushtarake, “përgjegjëse për akte terroriste”.

“Nuk largohemi nga veriu”

Presidenti serb Boris Tadic edhe me pare ka deklaruar se Serbia është e gatshme të rinisë dialogun me Kosovën, por nga ana tjetër ka ritheksuar se tërheqja e institucioneve serbe nga veriu është e papranueshme.

“Për ne është e papranueshme heqja e institucioneve serbe në veri të Kosovës, si kusht për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Tadic, qe shtoi se për sa kohë ai do të jetë president, Serbia s’do ta njohë kurrë Kosovën.

“Serbia nuk do ta njohë Kosovën sa të jem unë president dhe nuk do ta bëjë këtë as pas kësaj periudhe. Sa për heqjen e institucioneve që ofrojnë shëndetësi, arsim dhe që punojnë legalisht, Serbia nuk do ta pranojë kurrë si kusht për afrimin me BE-në”, ka nënvizuar Tadic.

Top Channel